E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët e maternitetit morën 150 mijë lekë në 2 raste

30/09/2009  Gjatë ndalimit, s’pranuan akuzat e ngritura

TIRANE- Njësia hetimore Task-Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës ka arritur të faktojë me prova bindëse 2 raste, ku 3 mjekët dhe 2 mamitë në bashkëpunim me njëri-tjetrin u kanë marrë para pacienteve të tyre. Shuma financiare që bluzat e bardha kanë marrë në dy rastet është 15 mijë lekë të reja. Nga veprimet hetimore është mësuar se pikërisht në këto raste, lindjet janë kryer me operacion dhe jo me lindje natyrale. Si pasojë e këtij procesi artificial të shërbyer nga mjekët, mësohet se këta të fundit i kanë kërkuar familjarëve të pacienteve shumën e parave prej 150 mijë lekë të vjetra. Të ndodhur në këto kushte, qytetarët i kanë thënë “ok” kërkesave të mjekëve, duke paguar menjëherë shumat financiare të kërkuara nga bluzat e bardha. Mirëpo nga kjo pakënaqësi ata i janë drejtuar policisë së Tiranës, në të cilën kanë kryer denoncimin e mjekëve. Gjatë kohës që seksioni kundër krimit Ekonomiko-Financiar kryente hetime lidhur me abuzimet e 5 mjekëve, në ngarkim të tyre janë regjistruar edhe 8 kallëzime të tjera. Kjo ka bërë që agjentët të intensifikojnë veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht rastet e denoncuara për mjekët Petrit Rexhepi, Dritan Xhangolli, Lefter Mano si dhe dy mamitë Nilka Perhati dhe Hyre Reçi. Pas mbledhjes së provave, organi i akuzës ka kërkuar arrestimin, pasi gjykata kishte vendosur masën e “arrestit shtëpiak”. Në momentin e ndalimit 3 mjekët e sipërcituar dhe dy mamitë janë shprehur se nuk kishin marrë asnjë shumë financiare, përveç rasteve kur qytetarët e ndryshëm me dëshirën e tyre ua fusnin paratë në xhep. “Nuk kemi detyruar njeri të na japë lekë, kundrejt shërbimit mjekësor. Ato që kemi marrë na i kanë dhënë vetë qytetarët. Akuzat janë të stisura nga politika”,- janë shprehur gjatë momentit të ndalimit 3 mjekët dhe 2 mamitë. Ndërkohë që pas shoqërimit të tyre në ambientet e Drejtorisë së Policisë të qarkut Tiranë, bluzat e bardha kanë refuzuar t’i përgjigjen pyetjeve të prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ata kanë kërkuar që fillimisht të konsultohen me avokatët mbrojtës pastaj, t’i nënshtrohen rregullisht procesit hetimor. Ndërkohë që aktualisht ekspertët e njësisë hetimore Task-Forcë, po kalojnë në skaner llogaritë bankare të mjekëve, pasi mendohet se nga aktiviteti kriminal ata mund të kenë vënë shuma të konsiderueshme financiare. Në ngarkim të tyre organi i akuzës ka arritur të mbledhë prova konkrete, të cilat sipas tyre në gjykatë do të ndikojnë për dhënien fajësi të tyre. Policia nëpërmjet operacioneve të tjerë ka arritur të verë në pranga njerëz që mbajnë veshur bluzat e bardha.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›