E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha të mos prekë financat lokale

30/09/2009  Tjetër përplasje qeveri-bashki

“Një kryeministër i paaftë nuk mund të zhbëjë autonominë vendore”

Kreu bashkiak Edi Rama lëshoi akuza të ashpra ndaj qeverisë “Berisha”. Në këtë përplasje të radhës mes tij dhe kryeministrit Berisha, Rama është ndalur te financat lokale, duke paralajmëruar për përshkallëzim të situatës, nëse pushteti qendror vijon të zhbëjë autonominë vendore. Kështu, gjatë inspektimit të punimeve në Parkun e Madh të Liqenit, kryebashkiaku Rama nuk ka hezituar të shigjetojë kryeministrin Berisha, duke e akuzuar se është pikërisht ky ekzekutiv dhe kreu i tij që po zbraz arkat e pushteteve vendore. “Një kryeministër i paaftë, delirant dhe i pandreqshëm nuk mund të zhbëjë autonominë vendore”, - vuri në dukje Rama. Duke mos kursyer një gjuhë të tillë kritike dhe akuzuese, Rama i bëri thirrje Berishës të ndalë sulmin ndaj financave, pasi do të hasë në rezistencën e pushtetit lokal. “Përfitoj nga rasti që t’i bëj një paralajmërim kryeministrit Berisha që sulmin e pandalshëm ndaj financave ta ndalë, pasi do të ndeshë në një rezistencë e refuzim që unë nuk do ta dëshiroja, si një pjesë tjetër e jetës shoqërore në Shqipëri, që është në krizë të gjithanshme”, - u shpreh Rama. Sipas Ramës, Berisha më kot përpiqet të mbushë arkën e shtetit duke vjedhur atë të vendorëve. Madje, qëndruar në një gjykim të tillë, kreu i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetari i saporizgjedhur i Partisë Socialiste, Rama akuzoi Berishën se buxheti i shtetit po boshatiset si pasojë e politikave të gabuara të kryeministrit. “Është e patolerueshme që një njeri i papërgjegjshëm, i paaftë dhe delirant i pandreqshëm të zhbëjë atë që është ndërtuar në gjithë këta vjet dhe të zbrazë arkat e pushteteve vendore dhe pushtete të vendit që të mbushë atë që nuk mund të mbushë më, buxhetin e shtetit që u zbraz si rezultat i të gjitha abuzimeve dhe shpërdorimeve të gjithanshme dhe politikave të tij shkatërruese, të cilave shqiptarët po ua dëgjojnë dhe dua t’ua dëgjojnë përditë e më shumë krismën”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›