E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi i ri i pensioneve, pritet rritje me 50% e të siguruarve



Sistemi i ri i pensioneve që është duke u diskutuar nga ministritë e linjës, e që do bëjë që të gjithë të siguruarit të paguajnë kontributet vetëm mbi pagën minimale, duket se si problem të vetëm ka mbijetesën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Kjo, pasi ky institut sot financon pensionet që jep për 500 mijë qytetarë, nga fondi shtetëror dhe nga kontributet që japin të siguruarit.

Por, sipas specialistëve, ky problem duket se është anashkaluar, pasi pritet që me vendosjen në jetë të sistemit të ri, të rritet me mbi 50 për qind numri i të siguruarve, duke e niveluar humbjen nga masa e kontributeve me sasinë e kontributeve personale.

ISSH

Por problemi që është hasur deri më sot në zbatimin e këtij projekti, është pikërisht mbijetesa e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që do të ketë më pak të ardhura për shkak të uljes drastike të nivelit të kontributeve. Kjo pasi, nëse sot për një rrogë 1 milion lekë të vjetra ISSH-ja merr rreth 300 mijë lekë, në sistemin e ri, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të marrë si kontribut vetëm 50 mijë lekë të vjetra.

Në total, humbja parashikohet e madhe, por sipas specialistëve të punës, kjo nuk do të përbëjë një pengesë. Kjo, kryesisht për shkak të tregut të zi dhe gri të punës, që do të formalizohen, e si pasojë, do të shtojnë numrin e kontribuuesve. Sipas specialistëve, do të mjaftonte që të shtoheshin me 50 për qind kontribuuesit që Instituti i Sigurimeve Shoqërore të mbijetojë. Sakaq, mendohet që tregu do të formalizohet në më shumë se 200 për qind të nivelit aktual, duke e bërë ndoshta edhe të vetëfinancuar ISSH-në.

Sistemi i ri

Burime nga ministritë e linjës bëjnë të ditur se sistemi i ri bazohet në sigurim të detyrueshëm në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe sigurim privat në institutet private të licencuara të sigurimeve shoqërore.

Ky sistem, sipas ministrive të linjës, është duke u shqyrtuar së bashku me një sërë metodash të tjera, por me sa duket ka marrë paraprakisht miratimin e Kryeministrit shqiptar. Në bazë të tij, qytetarët nuk do të jenë më të detyruar të paguajnë 11 për qind të pagës së tyre për sigurime shoqërore, por vetëm 11 për qind të pagës minimale. Ndërkohë që nëse kanë dëshirë, mund të paguajnë kontribute shtesë në kompanitë private të sigurimeve shoqërore.

Me këtë sistem sigurimi do të ketë një pension minimal, që sot do të ishte 100 mijë lekë të vjetra, dhe asnjë pension maksimal, pasi kjo do të varej nga kontributi vullnetar i çdo të punësuari. Kjo, në ndryshim nga sot ku pensioni maksimal është 200 mijë lekë të vjetra.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›