E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet trafikanti, kërkonte 2300 euro për të kaluar kufirin

Të kalosh kufirin shqiptar për t’u futur më pas në tokën greke, të duhen të paktën 2300 euro. Kjo është shuma që trafikantët shqiptarë kanë vendosur për të kaluar klandestinë në vendin fqinj helen. Një rast të tillë ka zbuluar policia e Gjirokastrës mesditën e djeshme në pikën kufitare të Kakavijës, duke bërë të mundur më pas arrestimin e dy klandestinëve, por edhe të trafikantit, i cili është dhe shoferi i maunes. “Vasillaq Shyti, 47 vjeç, lindur dhe banues në Fier, një pronar mauneje, është kapur në vendkalimin kufitar të Kakavijës, ndërsa donte të kalonte në mënyrë të paligjshme për në shtetin grek dy shtetas kundrejt fitimit 2300 euro për person”, - bëri me dije policia.

Sipas saj, zbulimi i Shytit erdhi nga specialistët e Sektorit të Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë Gjirokastër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative.

“Ne morëm të dhëna se një mjet kamion po transportonte për në Greqi 2 shtetas të cilët ishin të papajisur me dokumentacion të rregullt dhe do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, të marrë përsipër kundrejt fitimit nga drejtuesi i maunes”, - thanë burimet policore që morën pjesë në operacion. Gjithashtu, policia bëri me dije se kanë ushtruar kontroll në pikën e kalimit kufitar Kakavijë në kamionin tip MAN, me targë koka e kamionit FR 2563 B, dhe trajleri me tragë FR 0618 D, me drejtues 47-vjeçarin fierak Vasillaq Shyti. “I dyshuari e kishte kaluar zonën e kontrollit, por ishte akoma brenda territorit të pikës së kalimit të kontrollit Kakavijë, në tokën shqiptare”, - konfirmoi policia. Ajo shtoi se kamioni ishte në pronësi të Vasillaq Shytit dhe merrej me transport kontejnerësh.

Policia shtoi se pas kontrollit, rezultoi se në kabinën e kamionit ishin të fshehur dy shtetas, njëri nga Shkodra dhe tjetri nga Tirana, të cilët Vasillaq Shyti do t’i kalonte për në Greqi pa dokumentacion, kundrejt fitimit 2300 euro për secilin, duke përfituar edhe nga fluksi i madh i emigrantëve që kthehen për në vendet e punës. Pas kësaj, policia ka bërë arrestimin në flagrancë të Shytit, për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, mbetur në tentativë”, si dhe u bë sekuestrimi i kamionit në cilësinë e provës materiale. Lidhur me ngjarjen në fjalë, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes, si dhe për të zbuluar bashkëpunëtorë të tjerë të Shytit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›