Mjekët i japin 1 muaj "pushim" Lul Berishës
TIRANE - Operacioni në apendicit i Lulzim Berishës, shtyn sërish seancën gjyqësore të "Bandës së Durrësit". Nëpërmjet një deklarate të dërguar dje trupit gjykues, Berisha kërkonte të caktohej një datë tjetër për gjykimin e çështjes pasi e kishte të pamundur pjesëmarrjen për arsye shëndetësore. Me këtë kërkesë të të pandehurit ishin dakord edhe përfaqësuesit e Prokurorisë, të cilët i kërkuan gjykatës shtyrjen e seancës gjyqësore. Ndërsa avokati i të akuzuarit si kreu i "Bandës së Durrësit", lexoi në gjykatë një dokument të lëshuar nga mjekët që kryen ndërhyrjen kirurgjikale të paraburgosurit. Ky dokument ishte tabela klinike 433 e Spitalit të Burgjeve që i përkiste të paraburgosurit Lulzim Berisha. Në të mjekët kishin shënuar se ky i paraburgosur ka nevojë për tre deri në katër javë pushim. Duke vlerësuar këto fakte gjykata vendosi që data e seancës së ardhshme të jetë 23 shtatori. Por kjo u kundërshtua nga avokatët mbrojtës, të cilët pretenduan se paraprakisht kanë bërë marrëveshje me njëri- tjetrin për të pezulluar të gjithë proceset e tjerë ditën e enjte. Ndërsa data e caktuar dje është e mërkurë, çka bën të pamundur praninë e avokatëve në seancë gjyqësore. Pas kësaj trupi gjykues doli nga salla e gjyqit, ndërsa avokatët vazhduan të protestonin për caktimin e datës së gjyqit. Po dje Lul Berisha, mësohet se është dërguar në Spitalin e Burgjeve për t'iu hequr penjtë e qepjes së plagës së operacionit. Procesi në ngarkim të 17 të akuzuarve si anëtarë të dy pjesëve rivale të "Bandës së Durrësit", edhe pse ka filluar prej qershorit të vitit të kaluar, janë zhvilluar vetëm dy seanca gjyqësore, për shkak të mungesës së mbrojtësve dhe të pandehurve. Ndërsa dy seancat e fundit janë shtyrë për shkak të një operacioni në apendicit të kreut të bandës Lulzim Berisha. fa.ma.