Rikthehet plejada e balerinëve shqiptarë
Prelud mjeshtërve të koreografisë. Me rastin e 50-vjetorit të krijimit të shkollës Kombëtare të Koreografisë, së shpejti do të prezantohet botimi që rikthen një plejadë të tërë balerinësh të njohur shqiptarë. Një iniciativë kjo e shkollës së baletit me në krye Blerina Arbanën, libër i cili tashmë është përfunduar dhe ka si qëllim të evidentojë vlerat e kësaj shkolle, ku përmes metodikave të specialistëve të baletit shqiptar, u krijuan gjenerata të tëra balerinësh, një kontingjent ky, efiçent dhe i përhershëm për skenën shqiptare të baletit. Sipas drejtoreshës, çdo gjë i kushtohet pesë nismëtarëve që thyen tabutë e asaj kohe, Petrit Vorpsit, Zoica Haxhos, Agron Aliajt, Ganimet Vendreshës dhe Xhemil Simixhiut, të cilët ajo i konsideron ikona të shkollës, apo gurë themeltarë të këtij arti në Shqipëri. "Kjo shkollë është burimi ku kanë marrë kulturën artistike, përgatitjen profesionale, si dhe nismën e rrjedhës së debutimit skenik, një plejadë balerinësh, gjatë këtij gjysmë shekulli", tha ajo. "Shkolla Kombëtare e Koreografisë", ose Shkolla Shqiptare e Baletit, u krijua në vitin 1957 nga një grup artistësh të talentuar. Në 50 vite pune në përgatitjen dhe edukimin teknik të nxënësit, janë skalitur gjenerata të tëra balerinësh, të cilët debutojnë sot jo vetëm në skenën shqiptare, por dhe në skenat më prestigjioze të botës.