E Diel, 1 Nëntor 2026

Ryshfeti, dhunë kirurgut në QSUT pas operacionit

Një mjek kirurg është bërë objekt i dhunës dhe autori i dyshuar i ngjarjes ka deklaruar se u detyrua ta godasë, pasi bluza e bardhë u tregua i paskrupullt, duke kërkuar para në këmbim të mjekimit. 

Fatos Mahmutaj

 Ngjarja u denoncua të ketë ndodhur në orën 16:00 të ditëve më parë në mjediset e brendshme të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Burime të policisë së Tiranës deklaruan se i dyshuar për përfshirje në ngjarje është 22-vjeçari Agustin Muçeku, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë. Paraprakisht, ai akuzohet për veprën penale të "goditjes për shkak të detyrës", por burime nga hetimi bëjnë të ditur se i riu ka pohuar se u detyrua të godasë mjekun në gjaknxehtësi e sipër, pasi në këmbim të mjekimit, stimulonte në mënyrë të kuptueshme kërkim të hollash. Sipas policisë, 22-vjeçari ndodhej në spital prej disa ditësh, pasi kishte bërë operacion të atin. Ishte një tjetër mjek që kishte kryer ndërhyrjen kirurgjikale dhe ndiqte ecurinë e shëndetit të pacientit pas operacionit, ndërsa viktima e dhunës së 22-vjeçarit, Ibrahim Bruka, ishte mjeku rojë i pavijonit. Pasditen e së mërkurës, mjeku është grindur fillimisht me fjalë me 22-vjeçarin që ndodhej tek i ati, dhe pak çaste më vonë situata ka shkuar në grushte dhe shkelma në drejtim të bluzës së bardhë. Qytetarët e shumtë që ndodheshin në spital si dhe infermieret i kanë telefonuar policisë, çka ka bërë të mundur dërgimin e 22-vjeçarit në qeli. Aty gjatë marrjes në pyetje ai ka pranuar dhunën ndaj doktorit, ndërsa ka pohuar se arsyet që e shtynë të bënte një veprim të tillë ishte sjellja e doktorit, e cili megjithëse nuk kishte lidhje me operacionin, në këmbim të mjekimeve për të atin e Muçekut, stimulonte në mënyrë të qartë kërkimin e ryshfetit. Sipas 22-vjeçarit, preteksti i nxjerrë nga mjeku për të kërkuar këto para, ishte fakti se nuk lejoheshin familjarët të qëndronin në pavijon. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja që Muçeku dhe Bruka të shkëmbenin fjalë të fyese ndaj njëri-tjetrit. Ndërsa pak më vonë, mjeku, sipas deklarimeve që ka dhënë në polici i shoqëruari Muçeku, kishte zvarritur mjekimin e të operuarit, ndërsa stimulonte me bisedën e vet përfitimin e ryshfetit në këmbim të trajtimit të sëmurit me medikamente. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›