E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaos me librat për nxënësit e Fierit

 

FIER - Vetëm pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor për ciklin e ulët dhe atë 9-vjeçar, nxënësit e Fierit ende nuk kanë tekstet mësimore. Pjesa më e madhe e tyre mungon pothuajse tërësisht në treg, ndërsa të tjerat janë në një numër të kufizuar dhe të shpërndara në një mënyrë të çorientuar. Prindërit dhe nxënësit shprehen tepër të indinjuar për atë që po ndodh, ndërsa përfaqësuesit e Drejtorisë Arsimore të qytetit pranojnë për situatën e krijuar dhe cilësojnë si shkaktarë nënkontraktorët e shtëpive botuese. "Ikim nga një librari në tjetrën për të kompletuar librat. Ku gjejmë një tekst nuk gjejmë tjetrin. Vetëm metodat e gjuhës angleze kemi arritur t'i gjejmë në pikën e përcaktuar, ndërkohë për gjithë të tjerat duhet të sorollatemi pa fund", tregon Anisa, një nxënëse e klasës së 8-të. Ndërsa përfaqësuesi i Drejtorisë Arsimore, Xhevahir Kajushka, pohoi dje se "pengesat ose vonesa të ndryshme janë krijuar me nënkotraktorët e shtëpive botuese, të cilët nuk po realizojnë shitjen e teksteve në pikat që ne si Drejtori Arsimore kemi përcaktuar, por nëpër magazinat e tyre të shpërndara në qytetin e Fierit". Sipas Kajushkës, shkolla 9-vjeçare si ajo e Ferras, Frakull e Vogël, Verri, Topojë, Seman apo Kafarajt nuk kanë marrë ende asnjë tekst. "Ndërkohë ne u kemi kërkuar shpërndarëve të shtëpive botuese të jenë sa më korrektë me shpërndarjen e librit brenda 15 shtatorit dhe sigurimin e teksteve që mungojnë brenda këtij afati kohor", pohoi ai.            m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›