E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët, ka edhe mijëra shembuj të punës së mirë

Sinqerisht habitem dhe shqetësohem, nga përmasat që kanë marrë akuzat për dhunën dhe korrupsionin në mjekësi. Mendoj se këto dy “sëmundje” të rrezikshme që i mbart e gjithë shoqëria shqiptare sot, nuk janë në ato nivele sa për të baltosur një kategori të tërë shoqërore kaq të rëndësishme si mjekët, që shpëtojnë mijëra jetë njerëzore me punën e tyre.

Mund të jetë e vërtetë që jo të gjithë mjekët të kenë të njëjtin përkushtim ndaj detyrës fisnike që kanë marrë përsipër, pasi siç thotë populli se, “Pyll pa derra nuk ka”, por rastet e mjekëve neglizhentë, të korruptuar, apo të paaftë, janë me siguri shumë pak për të njollosur të gjithë mjekët e zotë.

Ka dhjetë, apo njëzet raste korrupsioni dhe gabimesh, po a janë numëruar ndonjëherë sa shembuj të punës së mirë të mjekëve ka?

Unë që po shkruaj këto rreshta (duke lutur redaksinë që t’i botojë), kam eksperienca vetjake shumë pozitive me mjekët dhe jam i bindur që të tilla kanë shumë qytetarë të tjerë si unë.

Konkretisht, në vitin 2007 (në gusht), në spitalin e Lezhës, kam shtruar për operim gruan. Kirurgu, mjeku dhe dy infermierët që u morën me këtë rast, kanë bërë një punë shembullore dhe i falënderoj me zemër. Në vitin 2008 (shtator) jam paraqitur unë vetë në Urgjencën e spitalit Rrëshen. U vunë në shërbimin tim pothuajse i gjithë personeli i spitalit, duke bërë çfarë ishte e mundur që të përmirësohesha. Pra, unë nuk e kuptoj kurajën për të atakuar mjekët, siç po shohim kohët e fundit. Shpresa për të jetuar është pikërisht në duart e mjekëve dhe personelit mjekësor mbështetës.

Është dramatike të na ikin mjekët e mirë dhe kirurgët, siç kam dëgjuar që po ndodh kohët e fundit. Tek kush do mjekohemi, tek veterinerët, apo tek kasapët?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›