Pagat e prapambetura, metalurgët e Burrelit: Do nisim grevë urie
Burrel- Metalurgët e uzinës së ferrokromit në Burrel kanë njoftuar se do të nisin grevën e urisë në datën 16 dhjetor, nëse deri në atë ditë kërkesat e tyre nuk gjejnë zgjidhje. Pagat e prapambetura dhe nisja e punës janë dy nga kërkesat kryesore të 110 metalurgëve, të cilët rrinë në pritje që prej muajit gusht. Në një peticion që ata i kanë dërguar ministrit Ruli dhe kryeministrit Berisha bëjnë me dije se, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen deri më 16 dhjetor, ditë kur si rregull dhe nga marrëveshja e nënshkruar në kontratë duhet të jepet paga e muajit, ata do të përvijojnë protestat në zyrat e ACR, firmës ruso-austriake që ka nën administrim këtë uzinë ndërsa më pas do t’i drejtohen grevës së urisë. Në peticionin e tyre ata kanë të shënuar dy kërkesat kryesore që lidhen me fillimin e shpejtë të punës në këtë uzinë pas ndërprerjes së punës që në muajin gusht, si dhe t’u jepet rroga e tre muajve, muaj në të cilët ata nuk janë paguar dhe kjo iu ka vështirësuar jetesën familjeve të tyre, që nuk kanë burim tjetër të ardhurash për të mbijetuar. Uzina e ferrokromit në Burrel vazhdon një histori të përvijueshmë agonie që kur u mor me koncension, ndërsa asnjëherë nuk ua ka bërë të realizueshme shpresat që matjanët kishin tek kjo uzinë si një nga ndërmarrjet prodhuese ndër më të mëdhatë në vend. Ajo u mor me koncension nga kompania italiane “D’Arfo”, e cila synonte vënien në kapacitet të plotë të prodhimi të kromit që merrej kryesisht nga rajoni krommbajtës i Bulqizës, por dhe miniera të tjera më të vogla në Mat e Bulqizë. Megjithatë, asnjëherë nuk iu përmbajt detyrimeve me shtetin shqiptar për të realizuar financimet e duhura dhe për të rritur efikasitetin e kësaj uzine duke shtuar dhe numrin e të punësuarve. Përkundrazi, gërshëra për të punësuarit nisi që ditën e parë të koncensionit dhe nuk pati të ndalur derisa numri u reduktua në 5-fish më pak, dhe më e keqja më tej, ndërprerjet periodike me muaj të tërë e punës në këtë uzinë, edhe pse ofertat e tregut kanë qenë të kuotuara maksimalisht. Si rrjedhojë, një grevë urie është paralajmëruar për datën 16 dhjetor të këtij viti nga 110 metalurgët e regjistruar në këtë uzinë, por që aktualisht nuk punojnë dhe nuk paguhen.