E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët kërkesë Qeverisë për të mos shkatërruar Traumën

 
Mjekët e Spitalit Ushtarak kanë kërkuar hetim për kontratat me subjektet private të cilat i quajnë afera kurruptive
Spitali Ushtarak
 
 
Qendra Kombëtare e Traumës po shkatërrohet dhe ne do ta mbrojmë atë se është vlerë e gjithë popullit. Kështu u shprehen dje mjekët e Spitalit Ushtarak, në një konferencë për shtyp, të cilët theksuan se kanë mbështetjen edhe të kolegëve të tyre të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" dhe të mjekëve të Sanatoriumit. Duke u gjendur përpara alarmit të shkatërrimit të traumës, mjekët kanë kërkuar të plotësohen në mënyrë urgjente kërkesat e tyre. Madje ata kanë kërkuar që strukturat përkatëse të rishikojnë kontratat me subjektet private, të cilat i quajnë afera korruptive.
Shkatërrimi
Duke mos llogaritur shtetin dhe strukturat e saj shëndetësore, drejtoria e SUQU, ministria e Mbrojtjes dhe e Shëndetësisë, sipas përkatësisë së tyre, kanë vendosur të shkatërrojnë Qendrën Kombëtare të Traumës me anë të disa vendimeve që kanë marrë. Kështu shefi i shërbimit të Urgjencës, Myftar Torba, shpjegoi se strukturat e lartpërmendura kanë dhënë me qira, subjekteve private, hapësirat e domosdoshme dhe jetike për realizimin e aktivitetit të Politraumës. "Kanë vendosur largimin nga Qendra Kombëtare e Politraumës të shërbimit kombëtar Universitar Ortopedi-Traumatologji", pohuan mjekët, duke shtuar se kanë vendosur edhe gjymtimin e një prej shërbimeve të domosdoshme të Qendrës Kombëtare të Traumës, siç është Ortopedi-Traumatologji. Sipas tyre këto struktura kanë marrë përsipër të detyrojnë punonjës të personelit të traumës të punojnë në kushte të papërshtatshme.
Kërkesat
Të ndodhur përballë këtij alarmi mjekët e shërbimit të traumës kanë paraqitur disa kërkesa Qeverisë. Kështu ata kërkojnë rivendosjen në mënyrë urgjente, në funksion të plotë pune me ambientet e saj, Qendrën Kombëtare të Traumës. Gjithashtu ata kërkojnë anulimin e urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, Ndoka, për transferimin e klinikës universitare Ortopedi-Traumatologji. "Kërkojmë respektimin e vendimeve mbi Qendrën Kombëtare të Traumës dhe ngritjen e një strategjie afatmesme dhe afatgjatë mbi Traumën me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë",- pohojnë ata, duke shtuar se kërkojnë edhe rishikimin e kontratave me subjektet private të vendosura në Qendrën Kombëtare të Traumës, të cilat janë afera korruptive nga grupe të caktuara njerëzish, dhe se iu bëjnë thirrje organeve kompetente shtetërore për të hetuar këto afera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›