Dyshimi, gripi i merr jetën 25-vjçares
Familja: Aurora prej pak ditësh ishte me grip dhe kishte temperaturë. Nuk vuante nga sëmundje kronike
Mjekët: Vajza erdhi e vdekur. Presim përgjigjen nga laboratori në Tiranë. Policia: Dyshohet infarkt
Fier-Një 25-vjeçare nga fshati Vajkan i Fierit ka gjetur vdekjen, ndërsa ishte duke u transportuar në spital. Deklarata e familjes së Aurora Grëmit, për vdekje nga gripi ka vënë në alarm mjekët e spitalit të Fierit, ku vajza ka mbërritur pa jetë. Ndërkohë, policia pas hetimeve të para dhe dëshmive të mbledhura ia ka lënë situatën në dorë mjekëve, të cilët pas autopsisë presin përgjigjen e laboratorit në Tiranë. Një gjë, sipas tyre është e sigurt. Vdekja e vajzës nuk ka lidhje me ndonjë helmim, por ajo ka ardhur për shkaqe të tjera, që pritet të zbulohen. Aktualisht trupi i të ndjerës është në karantinë. Dyshimet për vdekje nga gripi, duket se e bëjnë shumë serioze situatën, duke pasur parasysh virusin që është i pranishëm dhe riskun e përhapjes.
Familja
Familjarët e Aurora Grëmit, të shokuar nga ajo që iu ndodhi deklarojnë prerë se vajza e tyre vuante prej pak ditësh nga një gjendje gripale, shoqëruar me temperaturë. Ashtu si shprehen edhe vetë, para derës së spitalit ku rrinë në pritje, duke e konsideruar grip dhe një gjë që kalon shpejt, nuk i kanë kushtuar rëndësi të madhe. "U nisa ta shoqëroja vetë vajzën në spital, sepse ishte me temperaturë të lartë dhenë gjendje të rëndë gripale",- rrëfen e përlotur e ëma e vajzës, Behija. Ka qenë ajo së bashku me vajzën tjetër që e kanë sjellë në spital, por shtojnë se vajza nuk ka dhënë shenja gjatë rrugës. Sipas Behijes, vetëm tri ditë më parë ajo kishte qenë për vizitë në spital, por të bijën nuk e kishte marrë me vete. "Nuk e mora sepse vajzën e kishte zënë një ftohmë e lehtë"- thotë ajo, duke sqaruar se vajza nuk vuante nga ndonjë sëmundje kronike, ndaj sipas saj nuk e ka parë të arsyeshme kontrollin mjekësor.
"Ne menduam se e kishte zënë një grip, por kurrsesi se kishte kaluar në gjendje kaq të keqe. Me urgjencë e kemi prurë në spital, por na thanë që kishte dhënë frymë rrugës",- thotë ajo.
Mjekët
Vajza nga fshati Vajkan, i komunës Mbrostar në rrethin e Fierit ka ardhur në spital pa shenja jete. Kështu deklarojnë mjekët e spitalit të Fierit që e kanë pritur vajzën në urgjencë. "Lidhur me përcaktimin e diagnozës dhe shkakun që solli vdekjen duhet kohë për të dalë në një përfundim të qartë",- thonë mjekët. Sipas tyre, trupit i është bërë autopsia në morgun e qytetit të Fierit dhe analizat e marra janë nisur në Tiranë, por ende nuk ka një përgjigje nga laboratori qendror. Mësohet se nga ana e spitalit të këtij qyteti janë ngritur grupe mjekësh për kontrollin e detajuar të kufomës. Specialistë patologë, kardiologë, kirurgë dhe gjinekologë kanë bërë ekzaminime në trupin e vajzës për të mbërritur në një përfundim të saktë për shkakun e vdekjes së papritur të 25-vjeçares.
Policia
Burime policore të Fierit, pjesë e grupit të hetimeve, kanë pohuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme se vajza mund të ketë pësuar një infarkt, si pasojë e rëndimit të gjendjes gripale. Por, edhe për këtë pritet ende konfirmimi zyrtar. Ata kanë marrë në pyetje anëtarët e familjes Grëmi, nga e cila kanë marrë përgjigje të prerë se i vetmi shqetësim i Aurorës ka qenë gjendja gripale, shoqëruar me temperaturë dhe rëndimi i gjendjes shëndetësore mëngjesin e djeshëm. Kohë, kur edhe u nisën me rrëmbim drejt spitalit, por pa mundur të bënin asgjë.
Spitali
Trupi i pajetë, në karantinë
Ndërkohë që pritet një përgjigje që do të saktësojë shkakun e vdekjes së 25-vjeçares nga Vajkani i Fierit, trupi i saj, është në karantinë. Mjekët e spitalit të Fierit kanë konfirmuar se deri tani e sigurt është që Grëmi nuk ka konsumuar lëndë helmuese dhe se vdekja e saj ka ardhur nga shkaqe të tjera, natyrore. Por vdekja e saj në këto rrethana ka vënë në lëvizjetë gjitha bluzat e bardha edhe për faktin se nëse rezulton se është vdekje, jo nga infarkti, por nga gripi, atëherë rreziku për qytetarët është i pranishëm.