Spitalet, gjysma e pacientëve marrin infeksione
Sipas drejtorit të Qendrës së Cilësisë dhe Akreditimit, Kalo, infeksionet që marrin pacientët është 5 herë më i lartë se mesatarja e BE-së
Spitali është shpresa ku pacientët i drejtohen për të shpëtuar nga ndonjë sëmundje, por për fat të keq pacientët shpesh marrin si "dhuratë" infeksione për shkak të papastërtive në spital. Kështu rreth 50 për qind e pacientëve që shtrohen në një nga spitalet tona infektohen nga një virus i dytë apo i tretë. Situata alarmante është paraqitur dje, pikërisht nga Qendra Kombëtare e Cilësisë dhe Akreditimit të Spitaleve, sipas të cilës spitalet tona nuk plotësojnë as gjysmën e standardeve për t'u dhënë shërbim pacientëve. Ndërkohë drejtori i kësaj qendre, Isuf Kalo, pohoi se duhet të merren masa për përmirësimin e situatës, pasi jemi shumë larg standardeve evropiane.
Infeksionet
Studimi është realizuar në 12 spitale rajonale të bazuara mbi 262 standarde, por të dhënat kanë qenë alarmante, pasi vetëm njëri nga ato i plotësonte standardet për t'u dhënë shërbim pacientëve. Sipas sondazhit të Cilësisë dhe Akreditimit, të paktën gjysma e pacientëve të shtuar në një spital të Shqipërisë marrin edhe një infeksion të dytë në trup. Kështu specialistët pohojnë se studimi nxori në pah se gati 50 për qind e pacientëve që shtrohen në spitale infektohen edhe nga një virus i dytë apo i tretë, përveç sëmundjes që kanë. Shifra sipas tyre është të paktën 5 herë më e lartë se mesatarja evropiane. "Kontrollet e infeksioneve spitalore janë një pikë shumë e dhimbshme, pasi vetëm në spitalet evropiane 10 për qind e pacientëve janë të infektuar. Ne fatkeqësisht këto infektime në spitale i kemi rreth 50 për qind", pohon drejtori i Qendrës Kombëtare të Cilësisë dhe Akreditimit të Spitaleve, Isuf Kalo. Sipas specialistëve studimi është bërë në 12 spitalet rajonale të vendit të bazuar mbi 262 standarde ndërkombëtare. "Vetëm një prej spitaleve, ai i Durrësit, ka kapur 70 për qind të standardeve, ndërsa pjesa tjetër nuk ka arritur të kapë as gjysmën e këtyre standardeve",- pohon Kalo.
Standardet
Të gjitha spitalet që u ofrojnë shërbim pacientëve duhet të plotësojnë standardet, në mënyrë që ky shërbim të jetë korrekt, dhe jo në dëm të pacientëve. Kështu u shprehen specialistët e akreditimit, të cilët theksuan se për të realizuar këtë duhet të bashkëpunojnë të gjitha strukturat shëndetësore. Sipas tyre, në fillim duhet të bëhet vlerësimi i standardeve për çdo spital dhe më pas akreditimi. "Spitalet duhet të plotësojnë të paktën 70 për qind të standardeve për t'u akredituar për një vit dhe mbi 75 për qind të standardeve për t'u akredituar për 3 vjet",- pohon Isuf Kalo. Kështu në teori i bie që ato spitale që nuk plotësojnë 70 për qind të standardeve duhen mbyllur. Por pas këtij sondazhi i bie që në vendin tonë nga 12 spitale që ka gjithsej të mbyllen 11 prej tyre.
12 spitale rajonale u morën në studim dhe vetëm spitali i Durrësit plotësonte standardet
70 për qind të standardeve duhet të plotësojë një spital për t'u akredituar për një vit dhe 75 % për 3 vjet
10 për qind e pacientëve marrin infeksione në spitalet e BE-së, ndërsa në vendin tonë marrin 50 % e pacientëve
262 është numri i standardeve që duhet të plotësojë çdo spital dhe në bazë të tyre bëhet vlerësimi