E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH-ja, asnjë tolerancë për konsumatorët që nuk paguajnë energjinë



Operatori i Sistemit te Shpërndarjes njoftoi se 20 shtatori është afati i fundit për shlyerjen e faturave të prapambetura të energjisë pa kamatëvonesa. Drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së, Seit Dollapi, bëri të ditur dje gjatë një konference për shtyp se pas 20 shtatorit faturat do të kenë kamatëvonesa. “Vendimi është i vlefshëm për faturat e prapambetura për tre vitet e fundit”,- tha Dollapi. OSSH-ja ka realizuar arkëtimet e faturave të energjisë elektrike për muajin Gusht, në masën 97 për qind ose rreth 5 për qind më shumë nga planifikimi i parashikuar mujor. Kështu, arkëtimet nga familjarët u realizuan 80 për qind, ndërsa arkëtimet nga privatët 97 për qind. “Treguesi i humbjeve të energjisë në muajin gusht arriti në 26.6 për qind, aq sa ishte dhe objektivi i këtij muaji”,- tha Dollapi. Duke iu referuar statistikave, drejtori i OSSH, Dollapi, nënvizoi faktin se ecuria e kompanisë drejt realizimit të objektivave është pozitive, por mbetet ende shumë punë për të bërë, veçanërisht për arkëtimet nga familjarët dhe privatët. Duke kërkuar angazhimin e të gjithë punonjësve të OSSH-së, ai tërhoqi vëmendjen e të gjithë konsumatorëve, por dhe punonjësve të kompanisë, "se nuk do të tolerohet asnjë konsumator, i cili nuk paguan energjinë elektrike dhe asnjë punonjës i çfarëdo niveli që favorizon abuzimet".

BSH-ja hodhi dje në shitje 4.6 miliardë lekë bono thesari

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka përfunduar të enjten ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 3 mujor, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shitur në ankand është 4.6 miliardë lekë. Për këto bono nga 6 kërkesat konkurruese të paraqitura u pranuan 4 prej tyre. U kërkuan për shitje bono me vlerë 5.261.330.000 lekë dhe u shitën bono me vlerë 4.600.000.000 lekë Yield-i maksimal i pranuar është 6.25 për qind, yield-i minimal i pranuar është 6.1 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 6.15 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 6.17 për qind. Këto bono maturohen më datë 04.12.2008.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›