Prokuroria: Bollano të vijë në gjyq për akuzat
VLORË – Organi i akuzës ka kërkuar që të dëshmojë në sallën e gjyqit vetë kryetari i Bashkisë së Himarës në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij për shpërdorim detyre. Dje ka vijuar në qytetin e Vlorës, gjyqi ndaj Vasil Bollanos, i cili nuk ka qenë i pranishëm sërish në sallën e gjyqit, por është përfaqësuar, si përherë nga avokati i tij Petraq Curri. Burime zyrtare bëjnë të ditur se ditën e enjte doli para trupit gjykues edhe kreu i Policisë Bashkiake të Himarës, Aleks Teli, i cili deklaroi se ai i ka hequr tabelat treguese në gjuhën shqipe me urdhër të kryebashkiakut Bollano. Në përfundim të seancës, prokurori i çështjes Sokol Malaj kërkoi që të vijë në sallë të dëshmojë vetë kreu i Bashkisë, Vasil Bollano, pasi ai është i implikuar drejtpërdrejt në këtë çështje gjyqësore.
Seanca
Megjithëse është thirrur disa herë në gjyq nga organi i akuzës, Bollano nuk ka marrë pjesë edhe në seancën e zhvilluar dje në mjediset e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Vlorës. Ai ka dërguar avokatin e tij Petraq Curri për ta mbrojtur në lidhje me akuzën ngritur ndaj tij. Procesi ka vazhduar dje me dëshmitë, ku ka dëshmuar para organit të akuzës edhe dëshmitari i fundit i thirrur nga gjykata. Ai është Aleks Teli, me detyrë shef i Policisë Bashkiake të Himarës. Teli është pyetur nga Sokol Malaj, prokurori i çështjes, në lidhje me zbatimet e urdhrave dhe kontaktet që ka pasur me firmat zbatuese të tabelave dhe ai ka thënë se i ka zbatuar në bazë të ligjit, sipas urdhrave të dhëna nga kryetari i Bashkisë Vasil Bollano. Pas pyetjeve të bëra ndaj kreut të Policisë Bashkiake, Teli nga prokurori Malaj në lidhje me procedurat, urdhrat dhe mënyrën e vendosjes së tabelave, organi i akuzës ka kërkuar që të paraqitet vetë Bollano.
Akuza
Prokuroria akuzon Bollanon se ka shpërdoruar 2.1 milionë lekë të reja për të zëvendësuar tabelat përgjatë rrugës në komunën e Himarë, nga gjuha shqipe në gjuhën greke, gjë e cila bie në kundërshtim me nenin 248 të Kodit Penal. Sipas Malajt, urdhri i nxjerrë nga Bollano, i cili iu paraqit trupit gjykues me cilësinë e provës materiale, ka dhënë premisa për çrregullimin e qarkullimit rrugor në aksin Qeparo Llogora, ku edhe janë hequr tabelat. Gjithçka ka filluar në datën shtatë dhjetor të vitit të kaluar kur me urdhër të Bollanos janë hequr gjithë tabelat përgjatë rrugës nacionale, tabela këto të vendosura pas një tenderi të zhvilluar në Ministrinë e Transporteve. Heqja e tyre për organin e akuzës përbën shkelje ligjore, e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 2.1 milionë lekësh, për të cilën Bollano duhet të japë llogari para gjykatës së Vlorës. Seanca e radhës për kreun e Bashkisë së Himarës do të zhvillohet në datën 19 tetor.
5 Shtator 2008