E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët paralajmërojnë: Me ne në protesta edhe studentët

Mjekët e spitalit "Nënë Tereza" kanë pezulluar dje sërish punën për një orë. Pa asnjë deklaratë apo kërkesë të përbashkët, bluzat e bardha tubuan në heshtje.

zirina llambro

Kjo për t'i kujtuar strukturave politikëbërëse se përshkallëzimi i grevës nuk është shaka, por mund të paralizojë të gjithë sistemin në rast se nuk ka reagime për reformat. "Ne kërkesat tona i kemi bërë tashmë, duhet një ndërhyrje e thellë për të reformuar shëndetësinë e kalbur", thanë për gazetën disa prej profesorëve. Madje, në vijim sipas tyre  edhe studentët pritet të përfshihen në protesta duke bojkotuar mësimin në auditorë. Nëse i pyet për arsyen e anashkalimit të Ministrisë së Shëndetësisë, përgjigjja që merr nga një pjese e profesorëve të njohur është e thjeshtë. "Reformat duhet të bëhen nga njerëz të aftë, prandaj i jemi drejtuar direkt kryeministrit pasi ai është vetë mjek", shprehen ata. Ndërkaq tek "Nënë Tereza" situata është vërtet e rëndë. Problem madhor i ngritur nga një pjesë e stafit mjekësor janë aparaturat. Sipas tyre, është e papranueshme moskryerja e tenderëve për blerjen e pajisjeve të reja mjekësore. "Që prej 3 vitesh aparaturat kryesore për veshkat janë jashtë funksionit, pacientët janë detyruar t'i drejtohen privatit", u shpreh shefi i urologjisë, Mustafa Xhani. Por nuk janë të vetmet. Që prej një muaji në pavijonin e gastrohepatologjisë nuk punon fibriskopia (diagnostikon kancerin e stomakut). Për javë të tëra mbeti e prishur koronarografia (diagnostikon zemrën). Veç tyre edhe shumë pajisje të tjera më pak të rëndësishme nuk punojnë. Në të tilla kushte sipas mjekëve presioni i pacientëve ndaj tyre është i madh. "Por nuk përgjigjemi ne për aparaturat që prishen, ne ofrojmë vetëm shërbimin dhe asistencën mjekësore", theksojnë ata. Sakaq në laboratorin e QSU mungojnë që prej tre muajsh reagentët për kryerjen e analizave. Edhe për gjakun ato bëhen vetëm në raste urgjencash, në një kohë kur duhet të jenë të detyrueshme çdo ditë për të gjithë të shtruarit.  
Reformat
Rritja e sigurisë, mbrojtja me ligj, dhënia e një statusi të veçantë për mjekët, financimi i plotë i sistemit shëndetësor dhe dyfishimi i pagave, janë kërkesat e mjekëve. Ata kanë kërkuar t'i jepet fund fushatës politike kundër tyre. Ndërkaq brenda kësaj jave mblidhet grupi i punës i përbërë nga profesorë të njohur, anëtarë të këshillit të fakultetit të Mjekësisë. Ky grup do të hartojë draftin e posaçëm, ku do të përfshihen të gjitha pikat kyçe të reformës e do t'ia nisë më pas kryeministrit të vendit e presidentit. Sipas këshillit të profesoratit të fakultetit të Mjekësisë, reformat duhet t'i hartojnë njerëz të ditur dhe duhet të konsultohen nga komuniteti universitar. Në të kundërt ato nuk do të sjellin asnjë ndryshim. "Ne vuajmë mungesën e reformave, sepse asnjë qeveri pavarësisht ngjyrës e programit nuk ka mundur të bëjë asnjë reformë të thellë të sistemit shëndetësor", janë shprehur disa ditë më parë mjekët në deklaratën publike.

Kërkesat e mjekëve

    Reformim     të thellë të shëndetësisë     Rritja e sigurisë     Mbrojtja me ligj     Dhënia e një statusi të veçantë për mjekët    Financimi i plotë  i sistemit     Dyfishimi     i pagave     Funksionim te skemës së sigurimeve të shëndetit

Financimi i shëndetësisë
"Shteti e shoqëria shqiptare vë në dispozicion të shëndetit të shtetasve të saj vetëm 80 euro në vit. Ndërkohë që në vendet e Evropës komunitare shifrat variojnë nga 2000-4000 euro në vit, ndërsa rajoni disa herë më shumë se ne. Ja pra pse shëndetësia është në këtë situatë. Të gjithë kërkojmë jetën, por siç e thotë populli "me hime misri nuk bëhet simite"", janë shprehur mjekët në deklaratën e tyre të disa ditëve më parë.

 S'jemi pronë e politikës
"Shëndetësia shqiptare në tërë qelizat e saj duhet të drejtohet nga njerëz të aftë e të ndërgjegjshëm. Eshtë e papranueshëm që administratorët e shëndetësisë të ndërrohen sa herë ndërrojnë pushtetet, e aq më keq në të njëjtën qeverisje ku ministri ndërrohet në mes të mandatit", kanë theksuar mjekët në deklaratë. Sipas tyre, shëndetësia nuk është pronë e politikës, por është pronë e atyre që paguajnë për të, pra e qytetarëve.

Reagimi i ministrisë
Ministria e Shëndetësisë nga ana e saj ka deklaruar se, janë  zgjidhur kërkesat kryesore të profesoratit dhe stafit mjekësor. "Në këtë kuadër dhe në përgjigje të misionit tonë kushtetues, Ministria e Shëndetësisë ka zgjidhur tashmë kërkesat themelore të shqetësimit të profesoratit të fakultetit të Mjekësisë: miratimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2007-2013, si dhe hartimin e ligjit bazë për shërbimin shëndetësor dhe ligjin e financimit të shërbimit shëndetësor", thuhet në reagimin e këtij dikasteri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›