E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekja, vetëvrasje të paralajmëruar

• Vetëvritet në mënyrë të paralajmëruar mjekja e papunë. Sonila Kushi, 31 vjeçe, banuese në katin e tretë të pallatit nr.24 në rrugën “Niko Avrami”, i ka dhënë fund jetës mëngjesin e djeshëm.Dashamir BiçakuViktima mësohet se e kishte paralajmëruar veprimin e saj, por rreziku siç duket nuk është vlerësuar nga të afërmit ndërsa policia nuk ishte sinjalizuar për ngjarjen. Sonila Kushi, e arsimuar për mjekësi, e papunë që prej kohës kur kishte përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Mjekësisë, kishte tentuar edhe më parë të vetëvritej. Mbrëmjen e së premtes ajo ka tentuar të hidhet nga kati i pestë, por kanë qenë komshinjtë ata që kanë ndërhyrë duke i shpëtuar jetën. Edhe pse ishte dukur se ishte qetësuar, një ditë më pas, 31-vjeçarja është vetëvrarë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 09:30, kur 31-vjeçarja me origjinë nga Fieri ka rënë nga disa kate lartësi duke gjetur vdekjen e menjëhershme. “Dëgjuam një zhurmë të fortë, dukej si zhurma e ndonjë objekti të rëndë që përplasej në tokë”,- thotë një burrë rreth 50 vjeç, që banon në pallatin ku ndodhi ngjarja. Edhe pse pretendoi se nuk ishte lajmëruar më parë për këtë rast, policia pranoi dje se viktima kishte kryer edhe më parë disa tentativa vetëvrasje, siç dyshohet nga gjendja depresive nga e cila vuante prej më tepër se një viti. Tentativa e fundit e vajzës që jetonte me dy prindërit e saj, ka ndodhur mbrëmjen e së premtes ndërsa është e paqartë nëse janë bërë përpjekje për parandalimin e vetëvrasjes së mjekes.NgjarjaFqinjët kanë dëgjuar zhurmën në oborr dhe më pas kanë parë mjeken aty. Ata kanë shkuar menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë viktimës, por gjithçka kishte marrë fund. Banorët e zonës gjithsesi e kanë nisur 31-vjeçaren për në spitalin civil, ku sipas mjekëve viktima mbërriti pa puls. Pas lajmërimit policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Nga veprimet hetimore, sipas burimeve zyrtare, rezultoi se papunësia kishte ndikuar negativisht tek viktima. Ajo mësohet se kishte pësuar plagë dhe dëmtime të shumta nga përplasja në tokë ç’ka edhe i ka sjellë vdekjen brenda pak minutave duke mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi. Policia konfirmoi se nga rrëfimet e familjarëve ka dyshime të forta se papunësia dhe gjendja depresive e shkaktuar prej saj, kanë qenë shkaqet e vetëvrasjes së mjekes 31-vjeçare. Hetuesit kanë pyetur të afërmit për të zbuluar diçka më shumë për motivet e ngjarjes. Dëshmitarët kanë pohuar se mjekja kishte tentuar së paku edhe dy herë te tjera të vetëvritej si pasojë e gjendjes depresive. Për herë të fundit disa fëqinjë, e ndaluan atë mbrëmjen e të premtes, ndërsa mjekja po tentonte vetëvrasjen. Nga deklarimet e marra prej të afërmve të viktimës, policia ka mësuar se 31-vjeçarja ka qenë e papunë, prej më tepër se 8 vitesh, që nga koha kur kishte përfunduar studimet për mjekësi në Universitetin e Tiranës. Për këtë shkak, më tepër se një vit më parë, Sonila kishte kaluar në depresion dhe kishte nisur të merrte një mjekime.Dëshmitarja: Mjekja kërkoi një gotë me qumësht dhe u vetëvraTIRANE - Afërdita Pecaku, një grua rreth 50-vjeçe e cila banon në të njëjtin pallat ku ndodhet edhe familja e Sonila Kushit është e tmerruar nga vetëvrasja e mjekes. Ajo tregon se ka qenë në banesë mëngjesin e djeshëm, kur fqinja e saj ka kryer vetëvrasjen. “Isha në dhomë po qetësohesha, kur dëgjova një zhurmë të fortë. Dukej si një send i rëndë i përplasur fortë në tokë sepse bëri shumë zhurmë”, tregon gruaja që banon në pjesën ballore të pallatit ku ndodhi ngjarja. Më tej ajo rrëfen se menjëherë bashkë me fqinj të tjerë janë mbledhur pranë trupit të vajzës dhe e kanë nisur për në spital në gjendje thuajse të pashpresë. “Për fat të keq ishte krejtësisht e mbaruar që këtu, nuk jepte shenja jete. Nëna e saj po qante aty dhe ne mezi e ngjitëm në shtëpinë e saj”. Afërdita tregon se një makinë e nisi për në spital trupin e vajzës, por ajo ishte e pajetë. Një natë më parë, Afërdita tregon se Sonila kishte tentuar të kryente vetëvrasje por fqinjët e kthyen në banesë dhe e qetësuan. “Sot (dje) në mëngjes ajo i kishte thënë të ëmës t’i bënte një gotë me qumësht. Kur ajo po merrej me qumështin, Sonila i ka dhënë fund jetës”. Gruaja tregon se mezi e kanë hequr të ëmën nga trupi i së bijës, pasi ajo nuk shqitej nga vajza e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›