Sherri për peshkimin, familjet kërcënohen me armë në Kavajë
• KAVAJE – Një 20-vjeçar nga fshati Spille i Komunës së Golemit u arrestua dje pasi kërcënoi me armë fqinjin e tij për motive hakmarrjeje.Kërcënimi mësohet se ka ndodhur pas një grindje mes vëllait të autorit të ngjarjes dhe të dëmtuarit. Alban Muça, 20 vjeç, nga fshati Spille në Kavajë, është ndaluar nga policia me urdhër të Prokurorisë së Rrethit, me akuzën e “kërcënimit për vrasje” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Muça, sipas policisë akuzohet se ka kërcënuar për vrasje për qëllime hakmarrjeje Alvir Xhelezin, më 27 shkurt të këtij viti. Shkak për kërcënimin mësohet se ka qenë, grindja e dy vëllezërve të tyre rreth një javë më parë. Arrestimi është konfirmuar zyrtarisht nga policia e Qarkut të Tiranës dje nëpërmjet një njoftimi zyrtar. Burime të policisë së Kavajës, pohuan se Muça ka kërcënuar Xhelezin, pasi ata familjet e tyre merren me peshkim, ndërsa për këtë shkak, vëllai i të dëmtuarit, Zamir Xhelezi ishte grindur me vëllain e Muçës. Madje për konfliktin e parë mes dy familjeve, policia ka arrestuar dy ditë më parë Zamir Xhelezin, të akuzuar për goditje dhe rrahje. Sipas policisë që i referohet deklarimit të të arrestuarit, Zamir Xhelezi e kishte fyer dhe goditur të vëllain e tij. Përplasja mes tyre sipas policisë ka ndodhur në fshat rreth një javë më parë, për shkak të një konflikti lidhur me peshkimin. Pas kësaj përplasjeje mes tyre, Muça më 27 shkurt ka marrë një armë automatik “Kallashnikov”, dhe ka kërcënuar për vrasje 23-vjeçarin Xhelezi. Edhe pse e ka kërcënuar dhe kanosur me armë, i riu nuk ka qëlluar ndaj Muçës. Pas kërcënimit i dëmtuari ka denoncuar në komisariatin e Kavajës. Pas kallëzimit, policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivin e ngjarjes. Është mësuar se shkak i përplasjes mes dy të rinjve ka qenë një grindje banale e mëparshme mes tyre. Policia ka shpallur në kërkim 20-vjeçarin nga fshati Spille. Ai akuzohet për kanosje serioze për vrasje si dhe armëmbajtje pa leje. Tri ditë pas ngjarjes, policia ndaloi të riun në banesën e tij në fshat. Gjatë kontrollit në banesën e Muçës, nuk është gjetur arma me të cilën është kërcënuar Xhelezi. Në komisariatin e Kavajës, të arrestuarit, i është pohuar urdhri i arrestit të prokurorisë si dhe akuza e kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje. Gjatë pyetjes së tij, 20-vjeçari, Muça, ka mohuar të ketë kërcënuar bashkëfshatarin e tij, ndonëse ai e kishte fyer. Gjatë ballafaqimit të palëve në komisariat, i dëmtuari ka identifikuar personin që sipas tij e kishte kërcënuar me armë mesin e javës së kaluar. d.b