Plagosja për pronën, kapet një i dyshuar
TIRANE - Arrestohet nga policia një nga katër vëllezërit e shpallur në kërkim, për plagosjen me motive pronësie pranë gjykatës së kryeqytetit pak ditë më parë. Aleksandër Harizi, 22 vjeç, banues në Baldushk është prangosur nga policia e kryeqytetit pasditen e djeshme, ndërsa ka qenë duke udhëtuar me një automjet të drejtuar nga Neshet Seitllari, 41 vjeç, nga Pogradeci. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të policisë së kryeqytetit, të cilët pohuan dje në mbrëmje se Harizi, 21 vjeç nga Baldushku është ndaluar nga efektivët e policisë gjatë një kontrollit të kryer prej këtyre të fundit. Bashkë me Harizin, policia ka ndaluar edhe 41-vjeçarin Neshet Seitllarin. Ai burimeve të policisë po ndihmonte të riun nga Baldushku për t’u larguar nga Tirana në drejtim të Pogradecit dhe më pas ndoshta drejt Greqisë. Harizi, sipas burimeve të policisë akuzohet se në bashkëpunim me tre vëllezërit e tjerë të tij, kanë tentuar të vrasin me sende të forta dhe kanë plagosur Petrit e Shpëtim Tresa, 52 dhe 29 vjeç. Këta të fundit mbetën të plagosur rëndë nga sulmi i vëllezërve Harizi. Ngjarja ndodhi vetëm pak minuta pasi mes palëve kishte përfunduar seanca e dytë e procesit gjyqësor për një konflikt pronësie mes palëve. Shkak për goditjen e tyre ishte bërë goditja e babait të vëllezërve Harizi nga një pjesëtarë i familjes Tresa, disa javë më parë. Vetë i arrestuari i djeshëm ka qenë objekt i një sulmi me armë nga Gugash Tresa, djali i Petrit Tresës. Ngjarja ka ndodhur disa javë më parë në Baldushk, kur Gugashi ka qëlluar me armë për të vrarë Aleksandër Harizin. Tashëm policia e kryeqytetit ka shpallur në kërkim edhe tre vëllezërit e tjerë të Aleksandrit, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë në bashkëpunim. Konflikti mes palëve ka lindur për shkak të një sipërfaqeje toke të fituar nga Tresajt në bazë të ligjit 7501, që pretendohet se është pronë e trashëguar e familjes Harizi. d.b