New York Times: Hetime masive për bankat e fuqishme
Autoritetet amerikane janë duke i vazhduar dhe shtrirë hetimet e tyre në lidhje me marrëveshjet e huadhënieve në të shkuarën që kanë bërë disa banka shumë të mëdha në vend. Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut ka nisur një hetim që do të shohë të përfshira 8 banka, të cilat i kanë gënjyer agjencitë e taksave dhe tatimeve. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut ka paraqitur akuza për 4 banka amerikane dhe 4 institucione huadhënëse europiane. Prokurori Cuomo ka futur në hetimet e tij: “Citigroup”, “Credit Agricole”, “Credit Suisse”, “Deutsche Bank”, “Goldman Sachs Group Inc”, “Morgan Stanley”, “UBS” dhe “Merryl Lynch”. Hetimet po zhvillohen ndërkohë që Wall Street dhe bankat më të mëdha të botës janë vënë në vëmendje të institucioneve rregullatore në lidhje me gjithë rolin e tyre në situatën para dhe gjatë krizës financiare dhe atë të kredive të pasurive të patundshme. Gazeta “Wall Street Journal” të mërkurën raportoi se prokurorë amerikanë, në bashkëpunim me zyrtarë të institucioneve rregullatore, janë duke ndërmarrë hetime paraprake në lidhje me mundësinë e mashtrimit që u kanë bërë bankat investitorëve dhe rolin e tyre në marrëveshjet e kredive.
Bankat kanë marrë akuza civile nga Komisioni i Sigurimeve dhe Shkëmbimeve, si pjesë e hetimit, shitjes dhe tregtisë së bankave të marrëveshjeve që kanë pasur të bënin me huamarrjet për pasuritë e patundshme. Ndërkaq, shumë banka ose e kanë mohuar faktin e akuzave, ose kanë preferuar që të mos japin asnjë lloj informacioni në lidhje me këto lajme që po qarkullojnë në shtypin amerikan. Janë lajme që vijnë pas atij të fillimit të hetimeve ndaj një tjetër banke të rëndësishme të Wall Street, “Goldman Sachs”, në lidhje me mashtrimet ndaj investitorëve dhe klientëve gjatë periudhës para dhe gjatë krizës ekonomike. Hetimet federale kanë përfshirë dhe një tjetër bankë, “Morgan Stanley”. Lajmi i fillimit të hetimeve në shkallë të gjerë ndaj bankave të rëndësishme të sipërpërmendura është publikuar për herë të parë nga gazeta e përditshme “The New York Times”. Ndërkohë, zëdhënësit e “Deutsche Bank” dhe “UBS”, gjithashtu të përfshira në hetime si institucione kredidhënëse, nuk janë prononcuar, duke mos e mohuar kësisoj këtë fakt.
#