Virusi A/H1N1, shkon në pesë numri i personave që humbasin jetën
Emanuela Sako
Humbet jetën pasditen e djeshme në Spitalin Infektiv të Tiranës, një 18 vjeçare që ndodhej në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Tashmë Shqipëria futet në vendet me përmbajte të lartë të virusit pandemik në qarkullim, ku u shënua dhe viktima e 5 e këtij virusi. Viktima ishte identifikuar si mbartëse e virusit A/H1N1 dhe po kurohej prej 6 ditësh në terapi intensive nga stafi i mjekëve të këtij spitali. Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, konfirmoi lajmin, duke u shprehur se viktima nuk vuante nga sëmundje të tjera, por shtatzënia dhe komplikacionet që mund të japë virusi gjatë kësaj periudhe, çuan në vdekjen e pacientes. Pacientja kishte marrë kurimin e nevojshëm, por nuk mundi t’i mbijetonte simptomave të rënda të virusit pandemik. Nga të dhënat e fundit bëhet e ditur se numri i të prekurve nga virusi ka shkuar në 334.
Virusi
Gripi i derrit është shtrirë në të gjitha zonat e vendit. Por numrin më të lartë të të prekurve e mban kryeqyteti, për shkak të numrit të lartë të popullsisë dhe lëvizjeve të shumta të qytetarëve. Njëkohësisht edhe spitalet e Tiranës kanë numrin më të lartë të pacientëve. Kjo ndodh edhe për faktin se shumë pacientë nga rrethet drejtohen në Tiranë për një kurim më të specializuar. Ndërsa, specialistët e MSH-së u dërgojnë direktiva mjekëve të spitaleve rajonalë dhe qendrave shëndetësore për të kryer vizita dhe evidentuar në kohë rastet e shfaqjes së gripit te qytetarët. Nga ana tjetër, autoritetet shëndetësore shprehen se në fund të kësaj jave mbërrijnë 10 mijë dozat e para të vaksinës kundër virusit A/H1N1, e cila deri tani ishte vonuar nga kompania prodhuese. Vaksina do të shpërndahet nëpër qendra shëndetësore për t’u marrë nga falas nga qytetarët. Specialistët e MSH-së sqaruan se vaksina që pritet të mbërrijë në vendin tonë nuk jep efekte anësore afatgjata, megjithatë është në dorën e pacientit nëse do ta bëjë apo jo.
Koha
Mjekët specialistë shpjegojnë se piku i gripit mendohet të ketë qenë në fund të muajit nëntor dhe në fillim të muajit dhjetor. Ndërkohë që një valë tjetër pritet të ketë në fund të muajit janar ndaj i kërkohet qytetarëve të bëjnë vaksinën e gripit të thjeshtë, por edhe atë kundër A/H1N1. Qytetarët janë në panik për shkak të rritjes së madhe që po pëson virusi i gripi, i cili duket se do të shoqërojë gjatë gjithë periudhës së ftohtë.
Numri i personave që kanë humbur jetën në vendin tonë ka shënuar katër raste. Specialistët bëjnë të ditur se të këto pacientë vuanin edhe nga sëmundje të tjera të rënda.
Rastet e katër personave që humbën jetën nga virusi pandemik
Rasti më i fundit i vdekjes nga virusi A/H1N1 u shënua rreth orës 23:00 të së shtunës, ku një 31 -vjeçar me iniciale E. M ka humbur jetën pas një gjendje gripale prej disa ditësh. Burime zyrtare të ministrisë së Shëndetësisë, thanë se 31 -vjeçari ishte kuruar prej disa ditësh me antibiotikë në shtëpi, por pas përkeqësimit të gjendjes i riu u shtrua fillimisht në spitalin e Vlorës, për tu transferuar më tej nga mjekët në Sanatoriumin e Tiranës. Rasti i parë ishte ai i 57- vjeçarit nga Sukthi i Durrësit, i cili vuante edhe nga sëmundje të tjera. Deri më tani, asnjë nga rastet që kanë humbur jetën nuk ka pasur vetëm virusin e gripit, por të gjithë vuanin edhe nga sëmundje të tjera. Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel që të gjithë rastet e prekura nga virusi të tregohen të kujdesshëm, pasi ai mund të krijoje komplikacione. Njëkohësisht, të gjithë personat që vuajnë nga virusi A/H1N1 dhe vuajnë edhe nga sëmundje të tjera të drejtohen menjëherë tek mjeku specialist për të marrë trajtimin e nevojshëm. Ndërsa, viktimat e tjera ishin një 47- vjeçare nga qyteti i Shkodrës, e cila vuante edhe nga sëmundje te tjera. Ndërsa personi tjetër është një 53- vjeçar po nga qyteti i Shkodrës. Pacienti vuante nga pneumonia masive bilaterale dhe është trajtuar prej 5 ditësh me tamiflu. Gruaja 47- vjeçare kurohej prej 5 ditësh në Sanatoriumin e Tiranës, pasi vuante nga sëmundje kronike në mushkëri, hipertensioni dhe nga hiperobeziteti. Kjo ka bërë që 47- vjeçarja nga Shkodra të mos përballonte gjendjen e rëndë shëndetësore. Specialistët e Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se virusi shfaqet tepër i rrezikshëm në rast se pëson komplikacione me sëmundje të tjera.
Pesha e lindjes, ndikon për jetën e mëvonshme të fëmijës
Fëmijët që kanë peshë Brenda parametrave shëndetësore janë më të predispozuar për të qenë më të shëndetshëm më vonë. Pesha e lindjes së fëmijës, në dukje vetëm si një element i rëndësishëm për momentin në jetën e një foshnje, nuk duket se është vetëm i tillë, pasi ai shfaq shumë rëndësi edhe për më vonë gjatë jetës së saj. Gjithçka bëhet e ditur nga një studim i realizuar në Universitetin e Shkencave të Aplikuara “Fulda” në Gjermani, sipas të cilit pesha e lindjes së një fëmije është e lidhur me kanceret që ai kalon gjatë jetës, diabetin apo trashjen e tij. Kërkimet përfshijnë dhjetëra të rinj, shëndeti i të cilëve u krahasua me të dhënat e peshës së lindjes së tyre si edhe lartësinë. Të dhënat e treguara kanë treguar se fëmijët që kanë lindur të shëndoshë e kanë filluar pubertetin para kohës së tij, ndërsa të tjerët në moshën normale.
17 Dhjetor 2009