Kapet banda e kartave të kreditit
Një operacion i policisë në të gjithë territorin e Tiranës ka çuar në pranga rreth 25 persona të dyshuar si autorë të vjedhjeve të bankave të ndryshme në Angli, nëpërmjet kartave të kreditit.
Shumat e vjedhura në Angli mësohet se më pas janë transferuar në Shqipëri nga autorët e krimit. Aksioni i arrestimeve ka nisur pasditen e djeshme pa shumë zhurmë në Tiranë, ndërsa hetimi ka më tepër se një muaj që ka filluar. Policia e kryeqytetit ka bllokuar dje veç 15 personave, një makineri e cila prodhonte në Shqipëri kartat e kreditit dhe më pas ato dërgoheshin në Angli dhe përdoreshin për të vjedhur shuma të konsiderueshme bankave nëpërmjet bankomateve, apo pagesave në pika të ndryshme me karta krediti. Policia nuk ka bërë të ditur emrat dhe identitetet e personave të arrestuar, por sipas burimeve zyrtare, atyre iu janë bllokuar disa automjete të markave të shtrenjta me targa angleze, të cilat besohet se janë blerë në Britaninë e Madhe me paratë e vjedhura. Gjithashtu policia ka nisur të hetojë edhe destinacionin e parave, ndërsa ende nuk dihet nëse janë bllokuar vlera monetare. Makineria e bllokuar sipas burimeve të policisë, prodhonte kartat e llojeve të ndryshme me mbishkrime të kompanive prestigjioze dhe më pas ato dërgoheshin në vendin ishullor për të kryer tërheqjen e parave. Pas këtij veprimi, paratë niseshin në drejtim të Shqipërisë nëpërmjet transfertave bankare. Dhjetëra forca të policisë kanë kontrolluar dje banesat e personave që dyshohet se kanë kryer vjedhjet në Angli. Pa shumë zhurmë agjentë civilë dhe njerëz të policisë kanë mbërritur në banesat e të dyshuarve, pasi kanë marrë vesh më parë vendndodhjen e tyre në Tiranë. Në pak minuta agjentët e njësisë së operacioneve speciale kanë bllokuar personat dhe më pas i kanë shoqëruar në furgonët e policisë. Pas ndalimit të personave të dyshuar, agjentët dhe oficerët e seksionit të antikrimit ekonomik kanë nisur të kryejnë kontrollet e banesave. Burimet pohojnë se agjentët e antikrimit ekonomik kanë bllokuar një sasi të konsiderueshme dokumentesh dhe sende të tjera, si pasaporta dhe karta krediti. Të gjitha këto janë bllokuar në cilësinë e provave materiale. Dje pasdite specialistët e antikrimit ekonomik kanë angazhuar më tepër se 12 oficerë të ndryshëm dhe agjentë për të marrë në pyetje të ndaluarit. I njëjti operacion mësohet se është kryer edhe nga autoritetet angleze. d.b