E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati në Tiranë, pranga dy të dyshuarve

TIRANE - Bien në pranga për tentativë vrasjeje, dy të rinjtë që u konfliktuan me armë për një gërvishtje makine. 

Erjon Mihali, i akuzuar më parë për vrasje dhe pengmarrje dhe Ylian Çullhaj, përkatësisht 26 e 25-vjeçarë, u arrestuan nga zyra e hetimit të vrasjeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ata akuzohen për "vrasje të mbetur në tentativë në bashkëpunim" dhe "armëmbajtje pa leje". Dy personat e prangosur, sipas policisë janë arrestuar pasi më 28 qershor 2008, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri në rrugën "Myslym Shyri", Valdrin Hoxhën, 18 vjeç. Ngjarja ka ndodhur, pas një konflikti mes tre të rinjve për shkak të gërvishtjes së mjetit të njërit prej tyre nga Valdrin Hoxha. Në grindje e sipër dy personat, Mihali dhe Çullhaj, tashmë të  arrestuar, kanë qëlluar tri herë me armë zjarri në drejtim të Valdrin Hoxhës. Asnjë prej plumbave nuk e ka kapur 18-vjeçarin, i cili ka mundur t'i shpëtojë sulmit me armë. Policia që ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka nisur menjëherë hetimin dhe ka zbuluar se, shkak i përplasjes ka qenë gërvishtja e makinës. Policia ka identifikuar autorët, të cilët më pas janë arrestuar nga efektivët e Komisariatit nr.2 dhe të Zyrës së Hetimit të Vrasjeve.         d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›