E Diel, 1 Nëntor 2026

Asfiksohen nga tymi i makinës burrë e grua, ishin në gjumë

27/01/2010  Luan Veizi dhe Dorjeda Sinjali kishin lënë hapur kondicionerin. Tymi shkak i vdekjes
TIRANE- Dy persona janë gjetur të vdekur në rrethana misterioze në automjetin e tyre, të cilën e kishin parkuan në afërsi të magazinave të ish-Uzinës Dinamo. Ngjarja që u mendua fillimisht si një akt kriminal, ka ndodhur rreth orës 04:00 të mesnatës së djeshme ku dy viktimat Luan Veizi 58 vjeç dhe Dorjeda Sinjali 39 vjeç, ishin mbyllur së bashku me makinën e tyre tip “Audi” me targë S 203 K3 në një garazh, në të cilin kishin zgjedhur të kalonin natën. Burrë e grua, ata kanë vendosur që të lenë kondicionerin e makinës hapur me qëllim ngrohjen e ambienteve të brendshme të automjetit. Mirëpo si pasojë e kësaj nga djegia e naftës, motori ka lëshuar një sasi të konsiderueshme tymi, i cili në pamundësi për t’u përhapur në ambientet e jashtme të garazhit, është dendësuar akoma më tepër në të. Ekspertët që ishin në vendin e ngjarjes për të kryer hetime lidhur me këtë çështje thanë se vendimi për të lënë kondicionerin hapur ka qenë fatal për Luan Veizin dhe Dorjeda Sinjalin, pasi sipas tyre kondicioneri ka qenë ai që ka thithur tymin nga jashtë, duke e futur atë në makinë. Gjatë kësaj kohe, dy personat që ndodheshin brenda nuk kanë arritur të ndjejnë këtë dukuri, por kanë vazhduar gjumin duke thithur tymin e makinës, i cili vinte nga kondicioneri. Sipas ekspertëve, vdekja e tyre ka qenë graduale dhe asnjëri prej tyre nuk mund të ketë reaguar, pasi në qoftë se do të kishte ndodhur, Veizi dhe Sinjali edhe mund të kishin shpëtuar. Ndërkohë që gjatë orës 07:00 të mëngjesit të djeshëm roja i magazinave është afruar pranë makinës së çiftit, nga ku ka vënë re ngjarjen e rëndë. Menjëherë ai ka lajmëruar policinë, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe ka filluar administrimin e të dhënave për të dokumentuar ligjërisht rrethanat dhe motivet e këtij incidenti. Trupat e pajetë janë dërguar në morgun e spitalit për ekspertizë mjeko-ligjore. Identifikimi i 58-vjeçarit Veizi është bërë nëpërmjet patentës, ndërsa identifikimin e 39-vjeçares Sinjali e kanë bërë prindërit e saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›