E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmohet me thika volejbollisti i “Teutës”, vdes në spital

DURRËS Një volejbollist i ekipit të “Teutës” ka humbur jetën në spitalin e Durrësit, disa orë pas një sulmi me thika të kryer nga disa persona. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në lagjen nr.5 në Durrës. E ndërsa fillimisht ngjarja u klasifikua si një plagosje, mbrëmjen e djeshme për fat të keq i riu humbi jetën në spitalin e Durrësit. Si pasojë e plagëve të marra në trup, ai nuk ka mundur dot të mbijetonte. 24-vjeçari Junxhi Guza është zënë në pritë nga persona të paidentifikuar në hyrjen e pallatit ku banonte dhe më pas është goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e sulmit, Guza ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë, ndërkohë që ka ndërruar jetë rreth orës 19.00 të mbrëmjes së djeshme në spitalin rajonal të Durrësit. Policia deklaron se ende nuk ka identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje dhe se po punohet për zbardhjen e motiveve të krimit. Tashmë policia e Durrësit ka nisur hetimin, këtë herë për plagosje me pasojë vdekje dhe ka marrë në pyetje familjarët e viktimës, për të mësuar se cili ka qenë shkaku i ekzekutimit të tij. Një nga pistat kryesore në të cilën është duke hetuar policia e qytetit bregdetar është ajo e një konflikti të çastit që i kishte çuar autorët drejt këtij akti. Marrja në pyetje edhe e miqve të tij do të çojë në zbulimin e ndonjë konfliktit të mundshëm që mund të ketë pasur 24-vjeçari Guza gjatë këtyre ditëve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›