E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Mjekut: Ministria të kontrollojë klinikat private

Pas vdekjes së 17-vjeçares nga Korça, në spitalin "Nënë Tereza", ka reaguar edhe Urdhri i Mjekut. Sipas drejtorit të Urdhrit të Mjekut për qytetin e Tiranës, Faik Toska, Ministria e Shëndetësisë duhet të kontrollojë klinikat private për kushtet dhe për mënyrën sesi kryejnë ndërhyrjet kirurgjikale. "Ministria e Shëndetësisë të kontrollojë klinikat private, sepse janë hapur vend e pavend", tha Toska. Sipas tij, rasti i Matilda Petritit është marrë për shqyrtim edhe nga Urdhri i Mjekut. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se klinika e mjekut është licencuar dhe i plotësonte kushtet. Mjeku Xhevahir Hoxhallari ka deklaruar se klinika e tij është licencuar tri herë që pas hapjes së saj. Ndërkohë që të afërmit e 17-vjeçares thanë se klinika private në të cilën u operua vajza e tyre nuk i plotësonte kushtet dhe ngjante më shumë me një kasaphanë, sesa me një spital. Por gjatë gjithë historisë së licencimeve, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se kryhen inspektime të herëpashershme pas dhënies së të drejtës për të ofruar shërbime shëndetësore private. Megjithatë, për të rritur sa më shumë kontrollet në këto klinika shëndetësore, stomatologjike apo edhe gjinekologjike, një vit më parë u hodh ideja e ngritjes së një strukture që do të quhej Inspektorati Shëndetësor. Inspektorët e kësaj strukture do të ndanin zonat për kontrollet e vazhdueshme të shërbimeve shëndetësore, si në privat, ashtu edhe në shtet. Sakaq, pak kohë më parë përfaqësuesit e Qendrës së Fizikës Bërthamore deklaruan se qytetarët që punojnë me aparatura diagnostikuese, skaner, rezonanca, si dhe qytetarët që ndodhen pranë këtyre shërbimeve, nuk kontrollohen nëse janë të rrezikuar ndaj rrezatimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›