Urbanët, "jo" më abone, nuk do njihen as librezat
Që nga data 1 maj, nëpër rrugët e kryeqytetit do të qarkullojnë gjysma e urbanëve që janë tani dhe qytetarët do të udhëtojnë vetëm me bileta. Pa abone dhe pa libreza. Ky është SOS-i që lëshon Shoqata e Transportit Urban, pas disa sinjalesh që ka lëshuar në 6 muajt e fundit për problemet që kanë pllakosur shoqëritë e udhëtimit qytetas. Dje ata bënë me dije opinionin publik se "jemi në kushte të vështira ekonomike, për shkak të rritjes së çmimit të karburantit. Gjithashtu shteti nuk na jep subvencionin për kategorinë e personave që përfitojnë udhëtim falas". Këto janë dy arsyet kryesore që kanë çuar Shoqatën e Transportit Urban të marrë vendimin ekstrem të bllokimit të aboneve dhe reduktimin e mjeteve të transportit në rrugë. Kjo masë do të merret pas dy ditësh. Por nëse sërish autoritetet shtetërore përgjegjëse nuk do të reagojnë, shoqata është e vendosur të hidhet në grevë. "Në pamundësi financiare, subjektet do të jenë të detyruara të ndërpresin kryerjen e shërbimit të transportit, duke sjellë kaos në rrugët e qytetit, pakënaqësi të theksuara të qytetarëve, të cilët tashmë e kanë organizuar veprimtarinë e tyre në bazë të këtij shërbimi". Kështu shkruhet në njoftimin për media. Gjithsesi, fillimisht ata kanë vendosur ta nisin protestën me "reduktimin e numrit të automjeteve deri në 50 për qind të numrit të përcaktuar nga bashkia, për çdo linjë urbani". Ndërkohë në muajin maj e në vazhdim nuk do të dalë në treg asnjë abone, pra të gjithë do të udhëtojnë me bileta 20 lekëshe në çdo linjë. E njëjta gjë do të jetë edhe për personat me aftësi të kufizuara apo pensionistët, që në bazë të ligjit duhet të udhëtojnë falas. Kjo pasi shoqëritë e transportit nuk do t‘i njohin librezat që ato disponojnë. Këto shoqëri kërkojnë nga Ministria e Transportit dhe Bashkia e Tiranës rritjen e tarifës së biletës deri në 50 lekë, si dhe rritjen e çmimit të abonesë së përgjithshme në 1500 lekë. Aktualisht kjo abone kushton 800 lekë. Po kështu, ata kërkojnë t‘iu jepet subvencioni për biletat, abonetë dhe librezat e personave që duhet të udhëtojnë falas me ligj. Para se t‘i bëjë publike, shoqata pretendon se këto shqetësime i janë paraqitur zyrtarisht institucioneve përkatëse, si Ministria e Transporteve dhe Ministria e Financave. Kjo e fundit ka premtuar hartimin e një projektvendimi, i cili duhej të miratohej në janar 2008. Gjë që s‘ka ndodhur. "Këto institucione disa herë radhazi janë zotuar se do të zgjidhin problemin përmes rritjes së tarifës së biletës me 50 për qind. Afati i fundit ishte data 25 prill", bën të ditur shoqata. Ndërsa vijojnë me kërcënimin se në kushte të tilla mosmarrëveshje me shtetin, brenda pak ditëve, pasojat do të jenë mjaft të rënda, si për biznesin e subjekteve private, ashtu dhe për vetë qytetarët e strukturat shtetërore, në nivel qendror e vendor. "Anëtarët e shoqatës shprehen unanimisht për ndërmarrjen e veprimeve, të menjëhershme, me qëllim uljen në një farë mënyre të efekteve negative të ndeshura, të cilat nga ana tjetër mund të cenojnë cilësinë e shërbimit të ofruar, duke bërë që standardi i shërbimit të këtij transporti të jetë i një niveli mjaft të ulët", shprehen ata.
Në Tiranë funksionojnë 12 linja të transportit urban, që mbulojnë kryeqytetin nga periferia në qendër. Linja kryesore është ajo e unazës, që ka fluksin më të madh të udhëtarëve. Çdo ditë në Tiranë lëvizin në të gjitha linjat urbane afro 6 mijë vetë.
Në Tiranë funksionojnë 12 linja të transportit urban, që mbulojnë kryeqytetin nga periferia në qendër. Linja kryesore është ajo e unazës, që ka fluksin më të madh të udhëtarëve. Çdo ditë në Tiranë lëvizin në të gjitha linjat urbane afro 6 mijë vetë.