E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti “braktis” në gjykatë krahun e djathtë të Aldo Bares

03/02/2010  Gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë “harrojnë” të vijnë në gjyqin e nr. 2 të Bandës së Lushnjës
Enver Dondollaku rikthehet nga Gjykata e Apelit, pasi u dënua me 25 vite burg
TIRANË- Pasi është rikthyer nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, dosja e shumëpërfolur e Enver Dondollakut, krahut të djathtë të Aldo Bares mbeti dje pezull në shkallën e parë ku mungonin të gjithë. Dje në orën 15.00 në Gjykatën e Krimeve të Rënda ishte planifikuar për t’u zhvilluar seanca gjyqësore në ngarkim të këtij të pandehuri, i cili gjykohet në mungesë. Por ashtu si nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, salla e gjyqit ishte e zbrazët. Gjyqtarë, prokurorë dhe avokat, duket se kishin harruar të paraqiteshin në gjyq. Jo vetëm që seanca nuk u arrit të zhvillohej, por gjykata nuk doli me një vendim për shtyrjen e saj dhe caktimin e një date tjetër gjyqi. Apeli e riktheu dosjen pasi gjatë gjykimit në shkallën e saj janë vënë re shkelje të procedurës. Vet i pandehuri, në këtë rast ndihet i qetë. Ai është duke vuajtur një dënim prej 16 vitesh të marrë në Itali dhe për të përfunduar hesapet me drejtësinë shqiptare ka autorizuar me anë të një prokure të posaçme të firmosur nga familja avokatin Vladimir Meçi. Është ky i fundit që ka marrë përsipër të mbulojë gjithë mëkatet e anëtarëve të Bandës së Lushnjës. Enver Dondollaku u dënua më 19 janar të vitit 2009, me 25 vite burg, pasi përfitoi nga ana e gjykatës procedimin me gjykim të shkurtuar. Ai i shpëtoi burgimit të përjetshëm edhe pse akuzohej për një sërë vrasjesh të ndodhura në Lushnjë dhe të kryera për llogari të bandës famëkeqe dhe kryesisht të kreut të saj Aldo Bare. Njihet si një prej personave të besuar të këtij personazhi, i cili vetëm më 25 nëntor të vitit 2009, përfundoi nga Ankaraja ku u arrestua në vitin 2006 në aeroportin e Rinasit, i lidhur këmbë e duar me zinxhirë. Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë shpalli fajtor Dondollakun, pasi e gjeti fajtor për shtatë krime. Vrasja në bashkëpunim në kuadër të organizatës kriminale, të ish-oficerit të krimeve në Lushnjë, Klenti Bano, është akuza më e rëndë për 33-vjeçarin Dondollaku, për të cilën u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa për gjashtë krimet e tjera mori mbi një shekull burg. Të gjitha dënimet për të u bashkuan në një burgim të përjetshëm, por pranimi i kërkesës për aplikimin e gjykimit të shkurtuar për Dondollakun, u bë shkak që të përfitojë nga lehtësitë ligjore, duke u vendosur të vuajë vetëm 25 vjet në një burg të sigurisë së lartë. Dondollaku ka urdhëruar Petrit Liçin dhe Maksim Çelën për të goditur me eksploziv ish-shefin e komisariatit të Lushnjës Sinan Meta, më 25 mars 2000. Enver Dondollaku, Leonard Prifti, Maksim Çela dhe i vrari Gentian Kulla kanë vrarë ish-inspektorin e Krimeve të komisariatit Lushnjë, Kleti Bano, më 14 prill 2000.
Dënimet e Dondollakut
Aktualisht Enver Dondollaku edhe pse po gjykohet nga Krimet e Rënda ndodhet në burg në Itali duke vuajtur dënimin me 16 vite marrë nga drejtësia e vendit fqinj. Në vitin 2003 është dënuar me 4 vjet burg për falsifikim dokumentesh nga Apeli i Durrësit. Ndërkohë, në verë të vitit 2008, gjykata e Padovas në Itali e dënoi Dondollakun me 200 muaj burg, pasi e gjeti fajtor për shpërndarje narkotikësh. Dondollaku është gjykuar në mungesë dhe ky ka qenë shkaku pse është gjykuar i ndarë nga të tjerët. Aktualisht ndodhet në burgun e Riminit në Itali. Nga ky burg ai mohon pjesëmarrjen në Krimet e Rënda Tiranë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›