E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, serbët tentojnë të ngrenë pikë kontrolli

• Protestat në Mitrovicë kanë vazhduar edhe dje, por me gjithë dëshirën e nacionalistëve serbë për përmasa gjigande të demonstrimit kundër pavarësisë, duket se serbët janë lodhur tashmë nga kjo rutinë.Madje ata kanë tentuar të ngrenë edhe një pikë kontrolli, por pjesëtarët e saj u shpërndanë nga KFOR-i. Tentativa ndodhi në fshatin Caber të Mitrovicës, nga ku katër vite më parë nisën trazirat e dhunshme mes dy etnive, si pasojë e të cilave u mbytën në Ibër disa fëmijë kosovarë. KFOR-i më pas ka kontrolluar të gjithë aksin rrugor nga Mitrovica deri në Prishtinë për të kërkuar për armë. Dje ishte dita e shtatë e protestave dhe thirrjeve për pjesëmarrje u janë përgjigjur vetëm 500 serbë. Popullsia serbe në Kosovë e ka kundërshtuar pavarësinë  e njëanshme të pavarësisë. Policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i e kanë forcuar patrullimin në qytetin e ndarë nga ura mbi lumin Ibër, edhe pse në pjesën veriore të këtij qyteti banojnë shqiptarë. Por në pjesën jugore të Mitrovicës nuk ka asnjë serb. Edhe punonjësit kosovarë të UNMIK-ut, po largohen nga ana serbe e qytetit, sipas njoftimeve në mediat serbe, mbështetur në konfirmime të burimeve brenda UNMIK-ut. Edhe një pjesë e stafit të EULEX, misioni i ri i BE-së në Kosovë, është tërhequr nga veriu i Kosovës, në një largim të përkohshëm, sipas tyre për arsye teknike. Mediat shkruajnë se edhe të burgosurit kosovarë janë transferuar. Kreu i Këshillit Kombëtar Serb, Milan Ivanoviç, ka deklaruar se institucionet e shteti serb kanë qenë të parat në këtë rajon, ndërsa institucionet e Kosovës janë institucione paralele. “Tërheqja e shqiptarëve nga institucionet në terrenin me shumicë serbe është një pasojë logjike e të gjithë kësaj situate, e cila është realiste. Këto janë pasojat e shkaktuara nga pavarësia e njëanshme e Kosovës”, tha Ivanoviç. Vendimi i BE-së erdhi pas kërcënimeve të forta ruse kundër çdo imponimi të institucioneve të sapoformuara në Kosovë me kundërshtimin e serbëve në veri. Protestat kundër pavarësisë janë përhapur nga serbët edhe në Rusi, Rumani dhe Francë. Në Mitrovicë dje u organizua një koncert për të festuar tërheqjen e EULEX.  Deklarata e ambasadorit  Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kameron Munter, ka paralajmëruar liderët serbë që të parandalojnë dhunën e mundshme kundër misioneve diplomatike. Ambasadori Kameron shprehu nervozizëm për protestat e dhunshme të javës së kaluar, nga të cilat u dëmtua ambasada e SHBA-ve, duke shtuar se pret nga qeveria serbe që një gjë e tillë të mos përsëritet më. Ambasadori Munter ka kritikuar gjithashtu liderët politikë serbë, të cilët i kanë mbrojtur këto akte si formë ‘legjitime’ protestuese kundër pavarësisë së Kosovës, të cilën SHBA e ka mbrojtur me shumë këmbëngulje. “Ajo gjuhë nxitëse nuk është vetëm e gabuar, por edhe një turbulluese dhe po çon në izolimin e mëtejshëm diplomatik të Serbisë, gjë që nuk është në interes të askujt”, u shpreh dje Munter. Deklaratat vijnë një ditë pasi zyrtarët serbë fajësuan Shtetet e Bashkuara për dhunën e përdorur nga protestuesit serbë. “SHBA është fajtorja kryesore për të gjitha këto akte të dhunshme”, tha ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç. “Jam shumë i zemëruar për këtë ngjarje”, theksoi Munter pas trazirave duke shtuar se, do të ishte mirë që ndodhi të tilla të mos përsëriteshin më. Munter dëshiroi të sqaronte se viktima e këtyre trazirave, 21-vjeçari Zoran Vujoviç, “nuk ka rënë në kontakt me sigurimin e ambasadës”. “Ai vdiq tragjikisht si rezultat i zjarrit të vendosur nga sulmuesit”, tha ambasadori. Zyrtarët serbë deklaruan të shtunën se mënyra e vdekjes së të riut nuk jepte shumë mundësi për të qartësuar rrethanat dhe shkaqet e saj. Ambasadori u shpreh se, nuk ka plane për t’u tërhequr nga Beogradi, ndërsa Serbia e ka tërhequr ambasadorin e saj nga SHBA që të hënën, më 19 shkurt, kur SHBA e njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.  Sofje: Takim i zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë Përfaqësuesit e qeverive të Serbisë dhe Kosovës do të takohen për herë të parë në një konferencë në Sofje gjatë kësaj jave. “Ky do të jetë takimi i parë i zyrtarëve serbë dhe shqiptarë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ministri i Jashtëm bullgar, Ivajlo Kalfin. “Do të jetë një takim i vështirë pasi është forumi i parë ndërkombëtar, ku Serbia dhe Kosova do të ulen në një tavolinë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, tha Kalfin.Shefer: KFOR, gati për të ndërhyrë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hop Shefer, ka deklaruar se shkatërrimi i ambasadave perëndimore në Beograd është “krejtësisht i papranueshëm”. Në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”, Jap De Hop Shefer ka shfaqur gatishmërinë e KFOR-it për çdo zhvillim eventual, duke përfshirë edhe dërgimin dhe mbështetjen e forcave rezervë të NATO-s, nëse për këtë paraqitet nevoja. “Këto rezerva që përfshijnë EUFOR-in në Bosnjë janë të mjaftueshme”, tha Shefer.Thaçi: Kosova nën kontroll të plotëKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë sot se çdo pjesë e Kosovës është nën kontroll të plotë të autoritetit të NATO-s, SHPK-së dhe të UNMIK-ut. Thaçi po ashtu tha se institucionet po përcjellin me vëmendje të thellë ngjarjet në pjesën veriore të Mitrovicës, pas tërheqjes së misionit të BE-së, si dhe protestave të përditshme të serbëve kundër pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Thaçi ka premtuar se do të jetë pranë qytetarëve serbë, që prej një javë po protestojnë në veri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›