Moda dhe tendencat e saj futuriste
Merita TOÇILA
Në ditët e sotme krijuesit janë duke imagjinuar për femrën e së nesërmes, cili stil do dominojë në siluetë midis prirjeve që sjellin imazhin e një luftëtareje si dhe imazhin e një strukture mekanike pa harruar dhe copëzat romantike. Panorama e një tendence që të bën të ëndërrosh për të gjitha ato që duan ta mbajnë veshur për t`u dukur mbretëresha përrallash apo yje kinemaje. Shtëpitë e mëdha kanë nxjerrë nga arkivat e modës dhe të kinemasë pëlhura metalixato, teknika në prerje retro të para me sy avangardë, për t`i dhënë jetë një linje tërësisht futuriste. Si rezultat, këto kohë gruaja do të veshë atributet e luftëtarit të një kohe tjetër për të nxjerrë në pah gjithë feminilitetin e vet. Në 1927 regjisori Fritz Lang shpiku një robot futurist, 80 vjet më vonë shtëpia ruse “Capurin” prezanton në koleksionin e saj një grua androide, version i personalizuar i “Marias”, që shfaqej me një palë kominoshe të praruara, të cilat i përshtateshin aq vërtetësisht bustit femëror sikur ta kishte bërë vetë natura. Një referim nga kinemaja bën rikthimin në podium të veshjeve pas trupit të modeluara me copëza metali. Moda rregullisht ka tentuar të përcaktojë tendencat. Ndërsa në vitet `70 Thierry Mugler mendonte një grua me bikini metali, në vitet 2007 stilistët shkojnë më larg akoma. Nëse rikthejmë modelet klasike të viteve të shkuara, krijuesit kanë gjithmonë vepra për të shpikur, për të menduar për prerjet që të nesërmen do të jenë modelet e preferuara të garderobës sonë. Për sa i përket materialeve nuk jemi larg përdorimit të përbërjeve nga rezultatet shkencore(kjo ka filluar që në vitet `60, por në vazhdim pritet të mbizotërojë), është koha kur shtrohet problemi i rikrijimit të strukturës, ashtu siç shihen kapelet super të mëdha nga “Costume nationale”, mushamatë-kapuç ose kapuçat-mushama të “Chanel”, linjat e shpatullave super mashkullore tek “Max mara” apo “Calvin klein”. Të gjithë këto elemente përcaktojnë një revolucion të vogël midis së shkuarës dhe të nesërmes. Rezultati-- të guxojmë të ëndërrojmë për një moment agimin e yjeve të mëngjesit. Një modë e vështirë për t`u adoptuar sigurisht, por duke pritur të dimë se çdo të ndodhë nesër, duhet ta admirojmë këtë që serviret sot pa e lënë të shkojë. Por, nëse vërtet ka ardhur ora e projektimit të modelit të ri, ajo kalon gjithashtu nga feminiliteti, bashkimi i pjesëve të prera gjeometrike, asimetrike origjianle, siç e ka krijuar një tjetër stilist veshjen e mbrëmjes për “Givenchy”, apo tek “Versace” prerja vizionare e pëlhurave që vjen shumë këndshëm, por askush nuk mund t`ia kalojë Hussein Chalayan. Duke u inspiruar nga veshjet e të gjitha epokave, krijuesi i ka dhënë jetë një serie veshjesh mekanike të lëvizshme, pjesë të gjalla, elementi më romantik i botës së modës. Larg vrullit luftëtar të krijuesve të tjerë, moda po arrin të thurrë ode për t`i bërë një homazh të gjallë gruas. Midis poezisë së krijimit të modës së vitit 2046 dhe efekteve speciale të realizuara tek Chalayan, gruaja do përfundojë të gjejë lumturinë në këtë fustan avangardist çfarëdo që të jetë e sotme apo e nesërme.
2 Gusht 2008