E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importet, nafta, cigaret dhe makinat më të preferuarat



Shqipëria vazhdon të jetë një ndër vendet me bilanc të tregtisë së jashtme tepër negative, si rrjedhojë e "oreksit" për të konsumuar gjithnjë e më shumë produkte të huaja. Shifrat paraqiten vërtet shqetësuese, ku vetëm për katër muajt e parë të vitit 2008, niveli i importeve arriti vlerën e rreth 125 miliardë lekëve, duke krijuar një deficit tregtar prej rreth 24 miliardë lekë. Këtë volum të madh importesh, zyrtarë të qeverisë e shpjegojnë me blerjet e mëdha që bëhen për pajisje e makineri, si rrjedhojë e nivelit të investimeve të huaja. Megjithatë, duke parë të dhënat e fundit nga Administrata Doganore (buletini fiskal) shikohet qartë, se importet e mëdha që kryen vendi ynë nuk vijnë si efekt i investimeve të huaja, të cilat kërkojnë blerjen e makinerive dhe linjave të prodhimit, por nga konsumi i tepërt për mallra që nuk tregojnë realisht rritjen ekonomike. Në këtë pikë, kuptohet disi preferenca (nevoja) e tregut shqiptar. Nga vëzhgimi i bërë te statistikat e doganës, shikohet se për katër muajt e parë të vitit 2008, janë importuar më tepër karburante dhe vajra makinerie, duke i siguruar administratës doganore rreth 6 miliardë lekë të ardhura shtesë. Më pas vijnë automjetet dhe cigaret, të cilat kanë kontribuar përkatësisht me nga 717 dhe 715 milionë lekë, për arkën e shtetit. Taksat në tërësi për këto mallra kanë pësuar ndryshime të mëdha, ku për makinat janë ulur si efekt i MSA-së, ndërsa për cigaret janë rritur si efekt i balancimit me vendet e rajonit për të luftuar kontrabandën. Për të treguar se jemi vend që konsumojmë produkte të grurit, si p.sh. bukë, të dhënat nga doganat e vërtetojnë më së mirë këtë fenomen, ku importet për këtë artikull renditen të katërtat. Në grupin e artikujve që kanë nivel të lartë importi futen dhe pijet alkoolike, sidomos birra, ku niveli i lartë i zhdoganimit i ka sjellë arkës së shtetit mbi 300 milionë lekë të ardhura.

10 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›