E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nata e bardhë e kulturës” gjallëron Lezhën

Emrat më të njohur të muzikës shqiptare, si Kastriot Tusha, Gjokë Beci, Mefarete Laze, dhe mjeshtri i muzikës, Zhani Ciko, ishin epiqendra e koncerteve në kuadrin e “Natës së Bardhë të Kulturës Shqiptare”, që erdhi mbrëmjen e së shtunës dhe të dielën në Pallatin e Kulturës në Lezhë, në edicionin e tij të dytë. Nën kujdesin e Universitetit Europian të Turizmit dhe Bashkisë Lezhë, “Nata e Bardhë e Kulturës” ofroi para qindra e qindra artdashësve nga Lezha e zonat përreth saj, Shkodra, Tirana, por edhe Kosova e Maqedonia, mundësinë për të shijuar një fundjavë ndryshe në qytetin e memorialit të Skënderbeut. Programeve festive i parapriu pasditen e së shtunës, në memorialin e prijësit kombëtar Skënderbeu, Konferenca Ndërkombëtare me temë “Masterplani i Turizmit dhe plani i zhvillimit të Lezhës”, në të cilën morën pjesë autoritete, ekspertë të fushës së kulturës dhe turizmit, sipërmarrës, operatorë turistikë të qytetit, eksponentë të shoqërisë civile, gazetarë etj. Merrnin pjesë kryetari i Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj; rektori i EUFT, prof. dr. Salvatore Messina; drejtori i Parkut Kombëtar të Apolonisë, Marin Haxhimihali; dhe disa profesorë dhe studiues të huaj. Qytetarët e mirëpritën këtë fundjavë festive, duke u shprehur se ajo i solli gjallëri qytetit. Shumë prej tyre kërkuan që të tilla veprimtari të jenë më të shpeshta në qytetin e Lezhës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›