E Diel, 1 Nëntor 2026

Model i ri për zhvillimin ekonomik, Ekspertët: Burime të reja për financimin

TIRANE- Pas 19 vjetësh tranzicion, Shqipëria duhet të zbatojë një model të ri për zhvillimin ekonomik të vendit. Qëndrimi i Guvernatorit Fullani, bërë publik një ditë më parë gjatë një takimi me bizneset mbështetet edhe nga ekspertët e ekonomisë.
Ata shpjegojnë se ky model i ri është i domosdoshëm në kushtet kur shumë nga burimet që kanë financuar deri tani ekonominë tonë ose kanë shteruar ose janë drejt shtrerimit.

“Me sa duket ne jemi në fund, në ezaurim të një modeli 20 vjecar që mund ta quajmë dhe rritje tranzicionit ku rritja ekonomike është ushqyer kryesisht nga remitancat, nga të ardhurat nga privatizimet, nga kreditë e buta po ndihmat e ndryshme dhe nga një lloj tutele përsa i përket marrëveshjes me FMN-në. Po hyjmë në një fazë ku disa nga këto faktorë po ndryshojnë dukshëm” shpjegon eksperti i ekonomisë Adrian Civici.
Ekspertët e ekonomisë sygjerojnë gjetjen e rrugëve të reja për financimin e ekonomisë, një prej të cilave është eksporti, nëpërmjet rritjes së konsukurrueshmërisë të produkteve shqiptare.

“Ne po hyjmë në një fazë kur duhet të kemi një ekonomi më të strukturuar në sensin që prodhimi i brendshëm të vijë në rritje.ne duhet të kërkojmë një model të qëndrueshëm, pse mos themi dhe një model të ri të zhvillimit ekonomik që të garantojmë rritjen ekonomike të vendit” shprehet Civici.
Dobësitë strukturore konsiderohen një ndër problemet më të mëdha të ekonomisë sonë. Kjo pasi modeli ekzistues i zhvillimit të vendit ka favorizuar sektorë të tillë si shërbimet dhe ndërtimi përkundrejt industrive eksportuese apo konkurruese me importet, të cilat garantojnë edhe një rritje ekonomike afatgjatë. (e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›