Modeli “Edvin Rama”, frymëzues për prindërit “e krisur” që mohojnë atësinë e fëmijëve të tyre”
Dënohet nga deputetët e Shkodrës, akti makabër i tri ditëve më parë
Është fakt tashmë se Edi Rama është bërë modeli më i shëmtuar i kategorizimit shoqëror. Sjellja brutale dhe çnjerëzore e kryesocialistit është kthyer tashmë në modë, teksa egërsia e tij po fillon të përvetësohet nga individë të thjeshtë, të krisur mendërisht dhe të gatshëm të shkatërrojnë familje e jetë njerëzish. Këtë akt e kanë denoncuar dje edhe deputetët demokratë të Shkodrës. Në emër të tyre, nuk ka vonuar reagimi i deputetes së këtij qarku Arenca Trashani, e cila duke dënuar këtë akt të shënuar tha se kjo është shprehje tipike e dhunës në familje, e implemetuar më herët nga Edvin Rama. “Një person i rëndomtë, i cili dhunoi dhe tentoi të vrasë fëmijën e tij, përbën një precedent të rrezikshëm për shoqërinë shqiptare. Por, ndaj vetë kreut të opozitës që ka dhunuar nënën, djalin e tij dhe femrat e tij, si duhet të sillemi?! Persona të tillë jo vetëm që nuk e meritojnë të jenë në krye të forcave politike, por ata duhet të përballen me organet e drejtësisë, pasi prania e tyre në shoqërinë shqiptare është tejet e rrezikshme dhe komprometuese”, ka deklaruar Trashani. Kësisoj, sjelljet harbute dhe dhuna në familje po fillon të mbajë emrin “Edvin Rama”. Është pikërisht ky i fundit që është bërë modeli më qesharak i veprimeve të rëndomta të shoqërisë shqiptare, veprime që shkojnë deri aty sa rrezikojnë të marrin jetë njerëzish të pafajshëm. Të njëjtën gjë mund të zbatonte edhe Edvini dhe me këtë akt nuk mund t’i shpëtonte ligjit, por sidoqoftë ligji duhet të veprojë mbi një apo dhe mbi disa sjellje arbitrare të tij, në një kohë kur është identifikuar tërësisht si shkelës sistematik i ligjit dhe institucioneve shtetërore. Pas denoncimit të vazhdueshëm të medieve dhe klasës politike në vend, ndaj dhunës dhe egërsisë së tejskajshme që Edvini ka ushtruar ndaj bashkëshorteve dhe familjes së tij, e njëjta situatë përsëritet në një zonë të Shkodrës. Pas 16 orësh operacion është arrestuar babai monstër, i cili tentoi të vriste djalin e tij 2 vjeç, duke e hedhur nga Ura e Trenit në Shkodër. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku bëjnë me dije se Eduart Gjoka u kap dje rreth orës 10.30, në vendin e quajtur “Kodrat e Bardhajve”, 12 km larg qytetit të Shkodrës. Mësohet se 32-vjeçari ishte fshehur në shtëpinë e disa të afërmve të tij në këtë zonë. Burime pranë grupit hetimor pohojnë se Gjoka ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje, se të birin e hodhi nga ura pasi gjatë gjithë kohës dyshonte se djali nuk ishte i tij. “Më erdhi keq për djalin, por e hodha poshtë nga ura në shenjë hakmarrjeje ndaj ish-gruas sime që më ka divorcuar. Gjatë gjithë kohës kam pasur përbrenda një dyshim të tmerrshëm, atë që djali nuk ishte i imi”, ka deklaruar në polici autori i ngjarjes që tronditi mbarë opinionin publik dhe si për analogji perifrazimet e tij, janë të njëjta me ato të Edvin Ramës, përdorur në gjykatë 19 vjet më parë, cili hidhte dyshime të verbra në drejtim të bashkëshortes mbi atësinë e fëmijës. Për më tej, babai monstër ka pranuar se ka qenë përdorues droge (konsumonte marijuanë). Eduart Gjoka është dërguar në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës si i akuzuar për “vrasje me dashje të mbetur në tentativë”.
...