“Vendi i opozitës është parlamenti, palët të gjejnë menjëherë kompromisin”
Reagon ambasadorja zvicerane, Yvana Enzler
Pas shumë deklaratash të ndërkombëtarëve shtohen zërat që bëjnë thirrje për rikthimin e opozitës në parlament. Ambasadorja zvicerane në Shqipëri Yvana Enzler, gjatë një vizite në qytetin e Beratit për ditën e kulturës zvicerane, ka deklaruar se vendi i opozitës është parlamenti.
Sipas kryediplomates mes të dy palëve duhet të ketë dialog. “Vendi i deputetëve është parlamenti. Unë mendoj se dialogu është baza e marrëdhënieve politike dhe bashkëpunimit mes forcave politike. Të dyja krahët duhet ti hapen dialogut dhe të kërkojnë një kompromis që të jetë i pranueshëm për të dyja krahët. Në Zvicër kemi katër gjuhë dhe katër kultura dhe gjithashtu kemi konflikte politike të cilat i kemi zgjidhur gjithmonë me dialog. Kjo recetë e jona në fushën politike duhet të aplikohet edhe në vendin tuaj”, u shpreh Ambasadorja zvicerane.
Në vijim të takimit diplomatja ka folur edhe për integrimin e Shqipërisë. Në pikëpamjen e saj, Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm dhe është në rrugën e duhur drejt integrimit në Bashkimin Evropian.