Pavarësia e Kosovës, fillon nesër java e dytë e diskutimeve në Gjykatën e Hagës

SHBA-të pritet të mbrojnë fuqishëm legjitimitetin e pavarësisë dhe të drejtën e shumicës shqiptare për vetëvendosje
Nis të hënën java e dytë e seancave dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Java do të nisë me paraqitjen e qëndrimeve të Kinës, Qipros, Kroacisë dhe Danimarkës. Ndërkaq, të martën, më 8 dhjetor, qëndrimet e tyre do t’i paraqesin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Federata e Rusisë. Në seancën e së premtes, Bolivia dhe Brazili kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, duke thënë se me të është shkelur parimi i sovranitetit dhe tërësisë territoriale”.
Bullgaria, ndërkaq, ka thënë se “krijimi i shteteve të reja varet nga fakti nëse ai entitet disponon popullatën, territorin dhe qeverisjen efektive”. Burundi ka mbajtur një qëndrim të balancuar. Përfaqësuesi i Brazilit hoze Medeiros, ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, duke thënë se “Rezoluta 1244 i ka ofruar Kosovës autonomi të gjerë, por, njëkohësisht, ka garantuar integritetin territorial të ish-Jugosllavisë”.
Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës gjatë ditës së katërt të seancave dëgjimore, doli Bullgaria dhe përfaqësuesi i saj, Zllatko Dimitrov, i cili, fillimisht, ka cituar rezolutat e OKB-së nga viti ‘92, ‘94 dhe ‘99, që flasin për shkelje masovike të të drejtave të njeriut në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe. Ndërsa në ditën e tretë të shqyrtimeve para gjykatës, Austria ka mbrojtur pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë akt konform së drejtës ndërkombëtare. Nga ana tjetër, vendet e ndikuara nga politika e Moskës dhe Beogradit, si Azerbajxhani dhe Bjellorusia u rreshtuan kundër deklaratës së pavarësisë së Kosovës.