E Diel, 1 Nëntor 2026

“Provokimet e Edi Ramës, si gripi stinor që duhet lënë pas”

Zëvendëskryeministri Ilir Meta ironizon veprimet foshnjarake të opozitës: Shqipëria s’ka  nevojë për thasë me plehra, por për politika në dobi të qytetarëve

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta komenton situatën politike në vend, duke iu referuar gjerësisht qëndrimit të opozitës dhe kërkesave të pajustifikueshme të Edi Ramës. Meta ironizoi kërcënimet e kryesocialistit, duke i quajtur ato simptoma të “gripeve stinore” që duhen anashkaluar sa më parë, për të ndjekur rrugën e reformave dhe prosperitetin evropian të Shqipërisë.
Gjatë një konference për shtyp, për të informuar lidhur me vizitën e fundit të tij në Athinë, në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Bruksel dhe atë të Ministerialit të 17-të të OSBE-së, Zëvendëskryeministri Meta, duke iu referuar zhvillimeve në vend, i bëri thirrje opozitës dhe kreut të saj Edi Rama që të heqin dorë nga ngacmimet qesharake, duke i konsideruar ato si simbolikë të dështuar dhe që nuk i shërben askujt.
“Kur ne presim pyetësorin është momenti që qeveria dhe opozita të përqendrohen totalisht te këto sfida sepse integrimi jonë europian është interesi kryesor kombëtar. Do doja ta quaja këtë sezon ngacmimesh dhe provokimesh të panevojshëm, si një grip stinor që duhet ta lëmë sa më shpejt pas dhe të ecim të gjithë përpara sepse nuk kemi kohë për të humbur. Nuk kemi nevojë as për akuza të ndërsjella dhe as për thasë me plehra në një ambient që për fat të keq nuk është shumë ekologjik për politikën shqiptare. Kemi nevojë që të gjithë të zhvillojmë përgjegjësitë që kemi marrë nga zgjedhjet e 28 qershorit nga qytetarët shqiptarë, sidomos lidhur me atë që kërkojnë ata, siç është dita e liberalizimit të vizave; një jetë më të mirë dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE... Ndaj do doja që ta quaja këtë sezon ngacmimesh dhe provokimesh të panevojshme si një grip stinor që duhet ta lëmë sa më shpejt pas dhe të ecim të gjithë përpara pasi nuk kemi kohë për të humbur”, u shpreh Meta.
Sipas tij, të gjithë duhet të hyjnë në një garë tjetër dhe gara është pikërisht për të rritur standardet e komunikimit politik për të rritur standardet e legjislacionit në mënyrë që ai të jetë i standardeve evropiane dhe opozita në këtë drejtim ka shumë se çfarë mund të bëjë dhe duhet të bëjë, si detyrim ndaj vendit, si detyrim ndaj atyre që kanë votuar për të, pikërisht që vendi të shkojë përpara dhe jo që të shikojmë skena të cilat absolutisht tregojnë për primitivizëm dhe jo për perspektivë.
Në vijim të konferencës për shtyp, Ilir Meta informoi mbi takimet e tij në Athinë në kuadër të punimeve të Ministerialit të 17-të të OSBE-së. Sipas tij, ministrat debatuan në lidhje me këto zhvillime dhe adoptuan dy vendime të rëndësishme, që do të angazhojnë organizatën në adresimin e çështjeve të sigurisë evropiane, nëpërmjet mekanizmit të Procesit të Korfuzit, që është iniciuar 6 muaj më parë nga Kryesia greke e OSBE-së.
Zëvendëskryeministri dhe njëherazi ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka marrë garancinë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian se integrimi i Shqipërisë në BE, do të finalizohet përpara vitit 2014. I njëjti qëndrim është shprehur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, proces për të cilin është premtuar marrja e vendimit për heqjen e regjimit përpara verës së 2010-ës. Këto qëndrime të zyrtarëve të lartë të Brukselit, i janë shprehur Metës gjatë takimeve që ky i fundit ka zhvilluar me ta në Athinë. 
Gjithashtu, kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se përfaqësues të OSBE/ODIHR, rikonfirmuan qëndrimin e institucioneve të larta ndërkombëtare se zgjedhjet e 28 qershorit shënuan progres dhe plotësuan standardet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›