Modeli i Ilirit

Zyrtari i lartë në Presidencën e Kosovës, Ilir Deda ka deklaruar se Kosova dhe Serbia mund t’i rregullojnë marrëdhëniet e tyre duke u bazuar në modelin e dy Gjermanive, opsion që ishte përmendur gjatë negociatave për statusin e Kosovës.
Pavarësisht se shtete të fuqishme europiane kohë më parë e kanë hedhur poshtë mundësinë që Kosova dhe Serbia të zgjidhin problemet duke u bazuar në këtë opsion, Deda ka vlerësuar se kjo po bëhet gjithnjë e më realiste.
“Modeli i dy Gjermanive ishte propozuar më 2007 dhe tani po kthehet si opsioni më real i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky model do të shërbejë që të ndërtohen marrëdhënie të reja mes dy vendeve dhe atëherë edhe do të ndodhe stabilizimi i rrethanave në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Deda në një intervistë për gazetën “Dnevnik” të Novi Sadit.
Modeli i dy Gjermanive ishte përmendur si mundësi nga ndërmjetësit e bisedimeve shtesë në procesin e statusit të njohur si “Trojka”, që përbëhej nga emisarët amerikanë, europian dhe rusë.
Por një opsion i tillë ishte hedhur poshtë gjatë muajve të verës nga ambasadori i Britanisë së Madhe, Ian Cliff në një intervistë për Express.
“Ajo që unë e konsideroj konfuze në modelin gjerman është se ka pasur një mosnjohje reciproke mes dy shteteve gjermane, por një marrëveshje për të vepruar së bashku. Por, gjithashtu është një provizion që të dyja vendet do të përfundojnë në OKB në të njëjtën kohë. Ne këtu kemi një disbalanc, sepse, siç e dimë, Serbia është anëtare e OKB’së dhe Kosova jo”, kishte thënë Cliff në një intervistë për gazetën të publikuar në muajin maj.
“Sipas pikëpamjes sonë, do të ishte mirë që Kosova të ishte anëtare e OKB’së, por nëse e shikojmë këtë nga këndi i realitetit, kjo çështje është diku rrugës. Kjo çështja e OKB’së dhe e modelit gjerman nuk mund të aplikohet në rrethanat aktuale mes Kosovës dhe Serbisë. Se a do të jetë e mundur që të ketë diçka më ndryshe një farë marrëdhënieje pune mes Kosovës dhe Serbisë, do të shohim. Kjo është diçka në të cilën mund të arrijmë përmes dialogut dhe nuk është një paralele e saktë mes dy Gjermanive për mendimin tim”, kishte shtuar Cliff.
Duke folur për raportet Kosovë –Serbi, Dedaj ka përjashtuar mundësinë e ndarjes së Kosovës.
“Ndarja e Kosovës është një tregim i mbyllur dhe këtë më në fund të gjithë e kuptojnë, edhe ata në Serbi që angazhohen për këtë ide. Dhe kjo është diçka e mirë, sepse më së shumti do t’u bënte keq serbëve të Kosovës”, ka thënë Dedaj.
Ai po ashtu ka përjashtuar mundësinë që problemet e Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen në ndonjë konferencë ndërkombëtare.
“Konferencat ndërkombëtare për Ballkanin kanë përfunduar. Procesi i fundit ndërkombëtar për Kosovën ka përfunduar në dhjetor të 2007-ës. Po ashtu, nuk ekziston asnjë rrethanë për të thirrur një konferencë të tillë. Pos Prishtinës, as bashkësia ndërkombëtare nuk është e interesuar për hapjen e një procesi të ri”, ka konstatuar Deda.
Sipas tij, tani duhet përqendruar që procesi i bisedimeve në Bruksel të jetë i suksesshëm.
“Dialogu ekzistues mes Beogradit dhe Prishtinës me “lehtësimin” e Brukselit është një kornizë përmes së cilës do të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Deda.