Diçka me LDK’në?

Fjalët e mira të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa rreth lirimit të Hashim Rexhepit, si duket e kanë impresionuar këtë të fundit.
Ish-Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës është parë të premten në përvjetorin e partisë së dytë në vend.
Rexhepi thotë se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në “vizitën” që i ka bërë LDK’së në hotelin “Emerald".
Ai ka thënë se ka pasur ftesë për të marrë pjesë në festën e LDK’së.
“Po, unë kam qenë atje, por nuk ka diçka të jashtëzakonshme këtu. Unë jam i afërt me të gjitha partitë, andaj nuk ka diçka në veçanti këtu”, ka thënë Rexhepi të shtunën për Express.
Por ai ka mohuar të ketë marrë ndonjë ftesë për anëtarësim në LDK, derisa ka përjashtuar dhe mundësinë e kyçjes në ndonjë parti tjetër.
“Jo, jo…nuk kam marrë asgjë të tillë dhe as që dua të marr, ngase nuk e kam ndërmend të kyçem në ndonjë parti”, ka thënë ai.
”Absolutisht e përjashtoj çdo mundësi të anëtarësohem në ndonjë parti, në fund të fundit të gjitha partitë janë tonat. Nuk jam i interesuar të kyçem në politikë, absolutisht”, ka shtuar Rexhepi.
Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova duke komentuar praninë e Rexhepit në “ndejën” e LDK’së, ka thënë se tubimi i LDK’së ka qenë i hapur për të gjithë.
“Ka pasur aty edhe njerëz që s’janë ftuar fare, e që kanë dashur të marrin pjesë, ai ka qenë takim i hapur...Unë nuk jam marrë me ftesat, por Sekretariati dhe as që kam ndonjë koment më tepër për këtë”, tha Rugova.
Ndryshe, ish-guvernatori Hashim Rexhepi ishte liruar më 15 dhjetor të këtij viti, me vendim të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, nga akuzat për shpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim dhe ushtrim të ndikimit.
Pak ditë më parë, Isa Mustafa e kishte ndërlidhur lirimin dhe arrestimin e tij duke adresuar kritika ndaj Qeverisë Thaçi, të cilën e ka quajtur diktatoriale.
“Sunduesi dhe shteti policor asgjë nuk dallojnë nga diktatura, sepse në qoftë se me çdo kusht do të vihet kontroll i plotë mbi mediat, në qoftë se me çdo kusht do të vihet kontroll i plotë mbi kompanitë publike dhe këto kompani punojnë në interes të partisë në pushtet, atëherë asgjë tjetër nuk kemi, pos një diktaturë”, kishte thënë Mustafa.