E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Jahjaga për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë një takimit të shtunën në Tiranë, konfirmuan vullnetin e të dy vendeve për intensifikimin e përpjekjeve për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh, në mënyrë që shqiptarët të shndërrohen gjithnjë e më shumë në një faktor për zgjerimin e bashkëpunimit e miqësisë me të gjithë popujt e rajonit.

Berisha shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë presidentes Jahjaga, të gjithë krerëve të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta për festat e fundvitit.

Edhe presidentja Jahjaga, e cila bëri një ndalesë në Tiranë gjatë kthimit nga Praga ku mori pjesë në funeralin shtetëror në nderim të ish-presidentit çek Vaclav Havel, i përcolli kryeministrit Berisha dhe nëpërmjet tij edhe popullit shqiptar urimet më të mira për festat e fundvitit.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se viti i ardhshëm do të jetë për qytetarët e të dy vendeve një vit edhe më i mirë, ku do të ketë përparim në projektet e tyre madhore për zhvillim dhe integrim evropian.

Duke u ndalur në përgatitje për shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri Berisha dhe presidentja Jahjaga ripohuan se në këtë vit jubilar do të kremtohet duke nderuar me solemnitetin më të lartë qytetar dhe respektin më të thellë ngjarjet dhe figurat historike vendimtare që nga Lidhja e Prizrenit deri te pavarësia e Kosovës, dhe përpjekjen e sakrificën e kombit që bëri të mundur që sot shqiptarët të jenë më të lirë se kurrë dhe të ecin të vendosur drejt vizionit të ri evropian, thuhet në njoftimin e Zyrës së kryeministrit të Shqipërisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›