E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga, për qejf në Shqipëri

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nga Praga shkoi në Tiranë. Atje takoi Kryeministrin Sali Berisha me të cilin u pa edhe në kryeqytetin çek. Në bazë të njoftimeve për media, Jahjaga dhe Berisha vetëm kanë shkëmbyer urime për festat e fundvitit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka shkuar në Shqipëri pas qëndrimit disaditësh në Pragë, ku ka marrë pjesë në funeralin e ish - Presidentit çek, Vaclav Havel.

Të shtunën, në kryeqytetin shqiptar, Jahjaga ka takuar Kryeministrin Sali Berisha.

Zyra për informim e Presidencës ka njoftuar se Jahjaga me Berishën ndër të tjera kanë shkëmbyer mesazhe urimi për festat e fundvitit.

“Presidentja Jahjaga i përcolli Kryeministrit Berisha dhe nëpërmjet tij edhe popullit të Shqipërisë urimet më të mira për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2012”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë që edhe Berisha i ka uruar qytetarët dhe institucionet e Kosovës për festat e fundvitit.

Krerët e të dyja shteteve, ndër të tjera, kanë shfrytëzuar takimin që të diskutojnë edhe për të ardhmen e përbashkët europiane.

Ata janë shprehur optimistë se viti që po vjen do të jetë edhe më i mirë për qytetarët e tyre drejt realizmit të projekteve për integrim europian.

“Të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se viti i ardhshëm do të jetë për qytetarët e të dy vendeve, një vit edhe më i mirë ku ata do të çojnë përpara e do të përparojnë në projektet e tyre madhore për zhvillim dhe integrim europian”.

Ndër të tjera, bëhet e ditur se Jahjaga dhe Berisha janë dakorduar edhe për intensifikim të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe rajonal.

“U rikonfirmua vullneti i të dy vendeve për të intensifikuar përpjekjet për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh, por edhe atë rajonal, në mënyrë që shqiptarët të shndërrohen gjithnjë e më shumë në një faktor për zgjerimin e bashkëpunimit e miqësisë me të gjithë popujt e rajonit”, kanë njoftuar zyrtarët për informim të të dyja shteteve.

E temë e veçantë e takimit ndërmjet krerëve shtetërorë ishte edhe 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, i cili shënohet në 2012’ën.

Jahjaga dhe Berisha tashmë kanë përgatitur plane se si do ta kremtojnë vitin jubilar për shtetin shqiptar.

Ata kanë ndërmend që këtë ta bëjnë duke nderuar me solemnitet të lartë figurat historike e vendimtare, që nga Lidhja e Prizrenit e deri te pavarësia e Kosovës.

“Duke nderuar përpjekjen e sakrificën e kombit që bëri të mundur që sot, shqiptarët të jenë më të lirë se kurrë dhe të ecin të vendosur drejt vizionit të tyre të ri, atij evropian”, thuhet në njoftimet e lëshuara për media.

Ndryshe, krerët shtetërorë të Kosovës kohëve të fundit kanë shpeshtuar vizitat e tyre në Shqipëri.

Takimi i Presidentes Jahjaga me Berishën është i dyti, vetëm brenda një jave, pas atij që pati Kryeministri Hashim Thaçi.

Të shtunën në mesnatë, Presidentja ka marrë pjesë në meshën e Krishtlindjeve në Katedralen e Prishtinës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›