E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli: Vitin 2012, edhe më shumë njohje

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, në një konferencë për media të shtunën, ka numëruar sukseset e partisë që ai drejton gjatë vitit që po lëmë pas, si dhe për njohjet e reja, të cilat ndonëse ishin të pakta këtë vit, sipas tij kanë ardhur falë lobimit që ai bëri në vende të ndryshme.

Pacolli me këtë rast ka rikujtuar zgjedhjen e tij si president i Kosovës për vetëm 35 ditë me radhë që sipas tij pas vendimit që dha Gjykata kushtetuese për largimin e tij nga ky post nuk kishte hezituar fare të tërhiqej dhe të arrinte konsensus me PDK-në dhe LDK-në.

“Viti që filloi e dini mirë ishte vit me plot sfida ne të AKR-së ishim pjesë e saj. Unë personalisht isha në postin e presidentit për 35 ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese unë nuk hezitova, menjëherë u tërhoqa nga ai post dhe hidhërimin e lashë për dikën tjetër, padrejtësinë e lashë për dikë tjetër. Unë ashtu siç kam qenë gjithmonë konstruktiv mendoja më larg se sa interesat personale ose partiake. Unë u ula dhe gjeta konsensusin me partitë tjera politike, në mënyrë që Kosova të shkojë përpara qytetarët e Kosovës të mos kthehen prapë në zgjedhje”, ka thënë Pacolli.

Ndonëse Kosova gjatë këtij viti që po lëmë pas, ka marrë vetëm 13 njohje të reja, Pacolli nuk ka hezituar të lavdërohet se këto njohje kanë qenë rezultat i lobimit të tij, ndërkohë që sipas tij priten të vijnë edhe dhjetëra njohje të tjera.

“Pos këtyre 13 njohjeve që kanë ardhur drejtpërsëdrejti me angazhimin tim prej kur jam në këtë qeveri duhet të ju them se janë edhe dhjetëra njohje për të cilat është punuar shumë fuqishëm dhe ne ato i presim shumë shpejt. Unë kam besuar se dy apo tri nota verbale do t`i kemi për të cilat është bërë një hand-shake që quhet më është dhënë dora dhe fjala nga presidentët e tyre se kemi njohur Kosovën, por formalitetet dhe notat verbale që kanë ato janë duke u vonuar”, ka potencuar Pacolli.

Pacolli ndër të tjera ka përmendur edhe masat e reciprocitetit të cilat ishin vendosur gjatë këtij viti ndaj Serbisë dhe vendosjen e policëve dhe doganierëve në veri, përderisa shfaqi shpresën se edhe barrikadat e vendosura nga serbët e rebeluar do të largohen së shpejti.

“Kur kemi pa se kjo është e mundur, ne kemi insistuar në mbledhjen e Qeverisë duhet t’ju them se edhe përse jo të gjithë na kanë mbështetur duhet ta falënderoj kryeministrin që ka qenë gjithmonë konstruktiv për projektet e AKR-së dhe disa të tjerë e kanë kundërshtuar. Ne e kemi vendosur dhe është lëshuar urdhri për masat e reciprocitetit, kjo masë për të cilën e dini dhe vet çka ka ndodhur. E kemi aktivizuar veriun, e kemi futur nën juridiksionin e Kosovës, nën kontrollin tonë dhe jam i bindur se edhe këto barrikada që i kemi sot do të likuidohen shumë shpejt dhe kjo pjesë do t`i kthehet institucioneve të Kosovës”, ka potencuar Pacolli.

Ndryshe, në pritjen e organizuar me këtë rast nga AKR-ja ishte i pranishëm Ukë Rugova, i biri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Vlen të theksohet se Ukë Rugova nuk ishte i pranishëm dje në shënimin e 22-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), parti kjo të cilës i kishte prirë Ibrahim Rugova deri në vdekjen e tij. (KP)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›