Modeli i politikanit të kompromisit
Dr. Etleva Smaçi
-Fushata është këto ditë drejt kulmimit të saj. Tashmë kali i betejës nuk duket se do jenë më mitingjet madhështore, ku dihet që të pranishmit janë drejt për së drejt militant besnik të forcës politike, por studiot mediatike, ku audienca del jashtë cakut të lartpërmendur. E para forcë politike, që shfrytëzoi ekranin e televizionit kombëtar Klan, përmes programit Opinion, për prezantimin e programit të saj qeverisës për 4 vjetët e ardhshme në formën e një debati pyetje – përgjigje ishte LSI. Paneli i kryesuar nga lideri i kësaj force, sillte në vëmendje faktin se që të katërt anëtarët e këtij stafi vinin pas një periudhe kontributi në qeverisje me Partinë Demokratike. Kështu që ishte e pritshme që “sulmi” mediatik të synonte jo thjesht një debat mbi atë çka ata u ofronin shqiptarëve në të ardhmen, por edhe për përgjegjësitë që kishin ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, për vitet që lamë pas. Pa dashur të merrem me panelin dhe historikun e tyre politik, si qytetare dhe votuese, vëmendjen time e ngacmoi pikërisht z. Ilir Meta. Bashkëmoshatar i imi, po jo “mik imi”. E kam parë gjithë këto vite, si një prej shumë të rinjve të brezit tim, që politikën e ktheu në profesion dhe sigurisht gjykimi im personal, nuk ka qenë as publik, e ca më tepër me kahe qoftë për mirë, qoftë për keq. Çfarë më ngacmoi dje Ilir Meta? Më ngacmoi shpresën. Jo shpresën për një botë mrekullish, por shpresën e tolerancës dhe mirësjelljes. Ngacmimeve të vazhdueshme në lidhje me rolin e tij në qeverisjen me z. Berisha pati kurajën t’i përgjigjet me pozitivitet pa bërë njeriun nihilist. Pra nuk mohoi rrugët, nuk mohoi integrimin, por pohoi se mund të bëheshin edhe më mirë, sepse e mira është një kategori relative dhe aspak absolute. Po kështu larg gjuhës përbuzëse në raport me kundërshtarin politik, gjuha e Metës ishte tepër elegante, kur ju desh të prononcohej në raport me faktin se z. Rama e sheh z. Sali Berisha “ si një gjysh me antiplumb”. Pa paragjykime moshore, ai analizoi faktin se tashmë Berisha është pengesë për ecjen e vendit përpara, ashtu si vetë ka edhe parullën. Dhe kjo pengesë buron nga mendësia politike. Edhe pse e thënë butë një dëgjues i vëmendshëm e kuptoi këtë. Nga ana tjetër në grupin e analistëve padyshim nuk kishte vetëm nga ata që ishin aty për ta “nxehur” z. Meta. Kishim dhe analistë që edhe pse nuk e mikluan, duket se synuan t’ia bënin më të lehtë bashkëbisedimin, duke i ardhur në ndihmë, me pohime për largimin e z. Berisha edhe katër vjet më parë se ai të hynte në koalicion qeverisës me të. Këtu mund të them se Meta shfaqi profilin e politikanit që nuk bëhet lake në emër të pushtetit. Nuk dua të them se Meta është një idealist, që nuk do pushtet. Aspak. Përkundrazi është një pragmatist, që duke synuar pushtetin, është politikani i sotëm. Politikani që di të bëjë kompromise, di të japë zgjidhje. Ashtu si e tha edhe vetë, do t’i ngelet historisë të gjykojë larg pasioneve, nëse zgjedhjet e tij kanë luajtur rolin e zgjidhjes për Shqipërinë.