Moggi do të kthehet

Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luciano Moggi ka paralajmëruar se do të kthehet në futboll në vitin 2011. Moggi është duke shërbyer dënimin pesëvjeçar nga sporti për përfshirjen e tij në skandalin Calciopoli më 2006, që rezultoi me përjashtimin e Juventusit në Serie B për herë të parë në histori të klubit.
“Në verën e vitit 2001, dënimi im do të skadojë dhe do të kthehem në futboll. Kjo brengos dhe frikëson shumë njerëz”, tha Moggi për Studio Stadio. I pyetur nëse do të kthehej në Juventus, ai u përgjigj: “Kurrë nuk do të bëja atë që bëri Bettega me bordin aktual që na ka turpëruar dhe është munduar që në çdo mënyrë të na dënojë. Nuk dua të kem asgjë me ta. Do të kthehesha menjëherë, nëse Andrea Agnelli do të ishte në krye, për të shpaguar dashurinë e tifozëve të Juventusit, të cilët më kanë përkrahur gjithmonë”.
Moggi ktheu vëmendjen te kriza e Juventusit në Serie A. Bianconerët janë mposhtur nga Chievo të dielën dhe kanë rënë në pozitën e pestë. “Ferrara është dashur të shkarkohej deri më tani. Megjithatë, nuk e di se kush mund ta zëvendësojë atë në bankinë. Fajtori kryesor për këtë dështim është Blanc (presidenti i Juventusit), i cili përfaqëson jokompetencën e plotë të klubit të ri”, përfundoi Moggi.