Mohimi që u bëra dhuratave të arta të diktaturës
Ibrahim Dakli, kimisti i njohur me 27 shpikje tregon për jetën e tij, për karrierën në Itali për 47 vjet rresht, si dhe për lidhjen me Elbasanin.
Regjimi komunist e joshi për ta kthyer, madje edhe mori teknologjinë nga nipi i Ahmet Daklit. Në moshën 89-vjeçare ai kthehet çdo vit në vendlindje ku gjen të afërmit dhe kujtimet e fëmijërisë
Rrëfimi i shpikësit Dakli:
ELBASAN - Nipi i Ahmet Daklit, i njohur në Italinë fqinje për një karrierë të shkëlqyer në fushën e kimisë industriale, është rikthyer në Elbasan për të ndarë bashkë me familjarët dhe të afërmit kujtimet e këtij qyteti që shënon edhe gjurmë në rininë e tij.
Ai për pak muaj mbush 89 vjeç, por fiziku, kujtesa dhe gjallëria e tij tregojnë se e ka mundur moshën. Në këto ditë ai ka soditur qytetin dhe ndryshimet, ka parë nga afër vendet e dashura të fëmijërisë dhe nuk ka harruar shkollën e tij "Naim Frashëri", dikur Plotorja e famshme kur do të mbaronte arsimin fillor. Ndër kujtimet e tij janë heronjtë, patriotët, dashuria për shkollën, familja e njohur Dakli, por edhe karriera dhe jeta përtej kufijve.
Ai kujton shkollën, punën si shpikës, por edhe si një drejtues që shkallë-shkallë u kthye në një udhëheqës për një nga shoqëritë më të mëdha të industrisë plastike në Itali. Emri i tij është shënuar në 27 patenta të proceseve të prodhimit për shumë lëndë të para industriale në fushën e plastikës.
Ibrahim Dakli bëri emër si kimist, aq sa edhe regjimi komunist vendosi ta joshë që të kthehej, por nuk ia arriti. Teksa kujton të gjitha këto, ai viziton muzeun aq të dashur të shkollës "Naim Frashëri" dhe shënon në bllokun e kujtimeve mbresat për dashurinë e madhe të jetës: shkollën.
Ç'emocione ju përcjell rikthimi në vendlindje?
Pas shumë vjetësh kam pasur fatin e mirë të kthehem këtu në Shqipëri dhe të vizitoj shkollën "Naim Frashëri", atëherë si shkollë Plotore në lagjen e kalasë. Vetëm pas rreth 47 vjetësh u ktheva në Shqipëri, në nëntorin e vitit 1991.
Nga ai vit kam ardhur disa herë në vendin tim. E shikoj gjithmonë në ndryshim. Jam shumë i emocionuar, aq sa nuk mund ta përshkruaj. Edhe ajri këtu është ndryshe. Më mungojnë portokallet, rrugicat, njerëzit.
Cila ishte arsyeja e largimit tuaj nga Shqipëria?
Unë u largova për studime, dhe jo për arsye politike. Por qëndrova për arsye politike në Itali. Pasi mësova se këtu u instalua diktatura komuniste, vendosa përfundimisht të mos kthehem, edhe pse kisha këtu njerëzit e dashur dhe familjarët.
Nuk e kam mbështetur e përkrahur asnjëherë komunizmin dhe vendosa të rri jashtë. Gjeta punë, krijova një familje dhe punova me kënaqësi, aq sa sot ndihem i plotësuar.
A mos erdhi ky vendim pas asaj që i ndodhi xhaxhait tuaj, Ahmet Dakli?
Xhaxhai im të gjithë jetën e ka kaluar në shërbim të shtetit shqiptar. Ka pësuar persekutime, është dërguar në azil për 4 vjet jashtë Shqipërisë. Ka vepruar në një mënyrë që pak njerëz mendoj se do të vepronin.
Do të kujtoja një shembull të vetëm: kur u bë kryetar i bashkisë Durrës, gjeti pagat e nëpunësve shumë më të larta se buxheti që duhej, dhe i uli rrogat, duke nisur nga vetja. Fundi ka qenë mjaft i vështirë dhe ishte pasojë e diktaturës.
Po kështu kujtoj që familja ime ka qenë e lidhur me Normalen. Nuk është se e kanë mbajtur, por kanë kontribuar qysh nga fillimi i saj. Mbaj mend që babai e thoshte me krenari kur i shërbente nxënësve, qoftë edhe për ushqimin. Ky më duket si kontributi më i mirë i tyre për arsimin.
Ju e keni shënuar emrin në shumë shpikje si vetëm, ashtu edhe në grup. Ç'mund të thoni për këto patenta në fushën kimike?
Janë dy faza të punës sime në fushën e kërkimit kimik. Në fazën e parë kam një patentë për lëndët që përdoren për bojën e automjeteve, një proces për të prodhuar lëndën e parë. Një tjetër proces është për lëndën e parë të melaminës që përdoret në kuzhinë, por edhe në shumë vende të tjera.
Ndërsa faza e dytë përfshin periudhën kur isha drejtues. Si drejtor, qëllimi im ishte t'i shtyja bashkëpunëtorët të bënin punime, të kërkonin e të studionin për të arritur realizimin personal, por edhe në shërbim të kompanisë. Po t'i numërosh të gjitha patentat e shpikjeve në dy funksione, bëhen afërsisht 27. Janë modifikime kimike të lëndëve të ndryshme.
Kam propozuar atëherë dhe është realizuar nga ne materiali i stopave të automjeteve i cili quhet polimetrakrilon. Kemi arritur të zbulojmë njërën lëndë të parë ose njërin proces për lëndë të ndryshme, siç është metakriloni. Shoqëria jonë kishte emrin "Vedrid".
Kemi prodhuar në një impiant 40 mijë tonelata prodhime. Po kështu, një tjetër impiant ka qenë në Gjermani. Kemi shitur në Rusi dhe në Spanjë.
Dimë që keni ndihmuar në atë kohë Shqipërinë, edhe pse ishte nën regjimin komunist...
Më është kërkuar tri herë ndihmë nga Shqipëria. Fillimisht më dërguan vëllanë tim në Trieste në mënyrë të fshehtë, pa pasaportë.
Më kërkohej ndihmë për impiantin e fertilizuesve në Fier, për stabilimentin me të cilin punonte kompania ime. Ishte, me sa më kujtohet, viti 1965. I thashë se në mënyrë sekrete nuk mund t'i ndihmoja. Më tej erdhën në zyrë dhe i ndihmova.
Një herë tjetër erdhi një përfaqësi dhe porositi 800 tonelata lëndë plastike për sera, aty nga viti 1970. Për këtë gjë erdhi një ekip i posaçëm dhe, të them të drejtën, duke qenë se këto i duheshin Shqipërisë, nuk kishte pse të kufizoheshim prej diktaturës. Herën e tretë erdhën përfaqësues kur isha drejtor në Katela, në vitet 1968-'69. Më folën për fabrikën e gomës në Durrës. U thashë që asistenca e klientëve varej nga unë. Këtë e bëja në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe mund t'i ndihmoja...
Po për t'u kthyer në Shqipëri ju kanë kërkuar?
Kanë ardhur dhe më kanë kërkuar që të kthehem në Shqipëri pas vitit 1985. Më dërgonin ftesa të herëpashershme, letra që shkruheshin me shkronja të arta.
Për shembull, ambasada më kërkonte që të shkoja në festat e tyre, por unë nuk shkova asnjëherë. Një herë më ftoi sekretari i parë i ambasadës së atëhershme, me mbiemrin Musallari. Më mori në telefon, më ftoi në ambasadë, pyeste pse nuk vija. Iu përgjigja se nuk më interesonte.
Ai më kërkoi të takoheshim jashtë ambasadës. Më ofroi të shkoja në Shqipëri, më ofroi një pozicion të mirë, por unë refuzova dhe i thashë për të gjitha të këqijat që mendoja për regjimin komunist. Ai më kundërshtoi dhe më tha që të paktën të pranoja një dhuratë të mbledhur me një mbështjellje të artë. E refuzova. I thashë: "Nuk dua asgjë prej jush".
Çfarë kujtoni në vitet para se të niseshit me studime dhe shoqëria juaj e atyre viteve?
Kam pasur shoqëri me shumë të rinj që dhanë jetën e tyre dhe janë heronj e dëshmorë, si: Vasil Shanto, Qemal Stafa dhe shumë të tjerë.
Për Qemal Stafën kam një përshtypje të veçantë. Ishte një djalë me kulturë të jashtëzakonshme. Vinte prej gjimnazit të Shkodrës. Ishte me origjinë elbasanase. Kemi studiuar qoftë në Liceun e Tiranës, qoftë në Firence bashkë. Ishte një njeri me vlera të gjithanshme.
Si e shikonit regjimin komunist nga pozicioni ku ndodheshit?
Unë nuk e kam aprovuar radikalisht regjimin komunist. Të këqijat e regjimit kanë qenë shumë të mëdha dhe të papranueshme, por në fushën e arsimit është investuar mjaft në atë kohë. Unë e konsideroj arsimin si themelin për të gjithë mirëqenien e një vendi, pa të cilin nuk ka përparim, nuk ka përmirësime, qoftë materiale.
Shkolla për mua ka qenë mjaft e rëndësishme qysh nga bankat e para e deri në diplomimin tim. Shpresoj që arsimi shqiptar të mos humbë vlerat që ka pasur, sepse shqiptarët tregojnë zgjuarsi kudo që shkojnë, por kanë nevojë edhe për një sistem arsimor të konsoliduar...
Ibrahimi ka ardhur për pak ditë në Elbasan.
Pjesë e familjes së njohur elbasanase Dakli, ai ka takuar të afërmit dhe miqtë për të mësuar më shumë rreth vendlindjes. Ai premton se do të kthehet pasi ka shumë mall dhe shumë kujtime.
Në 100 vitet e shkollës Normale, Ibrahimi ka dashur t'i përcjellë të gjithë normalistëve urimin e tij: "Unë kam jetuar për pjesën më të madhe të jetës sime në Itali, por shpirti dhe mendja ka mbetur në Shqipëri dhe në qytetin tim, Elbasanin. Do të dëshiroja vetëm që arsimi të merrte të njëjtën vëmendje. Krenaria e Elbasanit është arsimi".
Karriera si kimist
Mbaron gjimnazin e Tiranës
Studion për kimi në Firence
Universitetin e mbaron me pikë maksimale: 110 nga 110 të mundshme
I sapodiplomuar në vitin 1946 fiton punën si kërkues në Institutin "Guido Donegani", më i madhi në Itali në fushën e kërkimeve kimike industriale në Novara.
Pas 10 vjetësh pune emërohet drejtor i një instituti të ri për kërkimet shkencore, "Montedison"
Vijon për 7 vjet si përgjegjës i kërkesave kimike shkencore e teknologjike mbi lëndët plastike në Milano
Punon 13 vjet si këshilltar i krahinës së Sardenjës për zhvillimin industrial
Punon edhe për shoqërinë kimike "Eni"