E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, kompensim mbi bindjet politike

SUPERSTRADA/ Banorët e Golemit marrin një vlerë shumë të ulët për tokën e përfshirë në zonat turistike


Punonjësit shprehen se po persekutohen për shkak të faktit që komuna e tyre, ndryshe nga të tjerat, ka drejtues të majtë


KAVAJË - Vlera e shitjes së tokës vlerësohet 12 milionë lekë/1000 m2, por në rastet kur shteti dëmshpërblen, vlera ulet madje më tepër se gjysma duke bërë që shifra 12 të jetë 3,4.


Bëhet fjalë për komunën e Golemit dhe për vlerën e dëmshpërblimit që shteti shqiptar duhet t'iu japë banorëve të saj për kalimin e superstradës në tokat e tyre.


Të publikuara pas vendimit të dhënë nga qeveria, është vënë re se ndërkohë që për komuna si Syneji e Rrashbulli vlerësimi është nga 16-34 milionë/1000m2, për Golemin vlerësimi është vetëm 3,4 milionë lekë/1000 m2.


Prapavija


Punonjës të komunës Golem, të cilëve tashmë iu duhet të përballen me ankesat e përditshme të banorëve të saj hedhin idenë se vlera e dëmshpërblimit mund të ketë prapavijë politike.


"Institucionet lokale që kanë drejtues të majtë persekutohen, duke mos iu dhënë vlerësimin e duhur dhe duke iu mohuar disa të drejta të ushtrimit të kompetencave",- shprehen ata.


Hamendësimi për një prapavijë politike lidhur me mënyrën e kompensimit për tokën që po përdoret për zgjerimin e superstradës Plepa-Rrogozhinë ka lidhje pikërisht me vlerën që është dhënë për tri komunat Golem, Rrashbull e Synej.


Dy të fundit gjenden larg vijës bregdetare, por megjithatë banorët e tyre do të marrin një kompensim që shkon nga 4- 10 herë më shumë se banorët e komunës Golem, e cila përfshihet në zonat me përparësi turistike.


Sipas shefit të kësaj zyre, Tahir Kanapari, nuk është e drejtë që komuna e Golemit, që bën pjesë në zonat me përparësi turistike të vlerësohet kaq pak, ndërsa tokat e komunës së Rrashbullit dhe Synejit, që janë shumë më larg vijës bregdetare, të vlerësohen disa herë më shumë.


Më e pakta që mund të dëmshpërblehen banorët e Qerretit, Kryemëdhenjve dhe Golemit është shuma 12 milionë lekë, pasi të gjithë tokat bëjnë pjesë në brezin e dytë, të largësisë nga vija e ujit të detit, që është 500-800 m largësi".


Por nga listat e shpallura nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, duket qartë diferenca midis çmimit me të cilin janë vlerësuar tokat e Golemit dhe tokat e zonave të tjera të qarkut të Tiranës e Durrësit.


Kërkesa


Por, ndërkohë që kompensimi është 3,4 milionë lekë/1000 m2, në rast se toka shitet, komuna duhet t'i vjelë pronarit 120 mijë lekë/1000m2, pra 10% të vlerës së shitjes, çka nënkupton se shteti këtë tokë e vlerëson me 12 milionë lekë/1000m2. E duket se pikërisht këtu qëndron absurdi në të gjitha vlerat e kompensimit.


"Tani që është fjala për kompensim të pronarëve nga shteti, MPPTT vendos që t'i shpërblejë me një vlerë poshtë minimales së mundshme",- shprehet Kanapari.


Vlera e shpallur nga ministria ka qenë një tjetër ngacmim që ka rritur revoltimin e pronarëve të prekur nga ndërtimi i superstradës, të cilët janë përplasur të gjithë në dyert e komunës duke ngritur zërin dhe duke kërkuar që drejtuesi i zgjedhur për të udhëhequr interesat e tyre, Agron Agalliu, të ndërhyjë për të gjetur një kompromis me ministrinë para se të nisin protestat dhe bllokimin e rrugës kryesore.


Por ky i fundit ka shpjeguar se nuk ka autoritet ligjor për ta detyruar ministrinë të marrë në konsideratë kërkesat dhe pretendimet e ngritura me të drejtë nga komuniteti i Golemit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›