Grinden për parkimin, tenton të vrasë kolegun
SHERRI/ Arjan Leskaj e Edmond Shqepa u vunë në pranga pas një debati që përfundoi me të shtëna armësh
FIER - Dy shoferë furgonësh kanë përfunduar në pranga pas një grindjeje, e cila përfundoi me të shtëna. Arjan Laskaj dhe Edmond Shqepa nga Libofsha e rrethit të Fierit u arrestuan pas një zënke midis tyre.
Akuza e ngritur ndaj dy të prangosurve është ajo e "armëmbajtjes pa leje", ndërsa Shqepa akuzohet edhe për "vrasje të mbetur në tentativë". Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja e ka zanafillën paraditen e së shtunës, ku Laskaj dhe Shqepa janë grindur me njëri tjetrin lidhur me parkimin e furgonëve në stacionin e Libofshës.
Në këtë vend qëndrojnë automjetet-taksi të cilat marrin pasagjerë për t'i çuar në drejtim të qytetit të Fierit. Debati i nisur të shtunën ka vijuar edhe paraditen e së dielës. Por këtë radhë 33-vjeçari Edmond Shqepa ka marrë me vete edhe të vëllanë, Nikon.
Të dy së bashku i kanë dalë përpara Arjan Laskajt për t'u sqaruar, por pa mundur të zgjidhin asgjë. Debati ka vijuar me fyerje e sharje të ndërsjellta dhe më pas me përdorimin e armës. Kështu 33-vjeçari ka nxjerrë armën, tip pistoletë, të cilën e mbante pa leje dhe ka qëlluar në drejtim të furgonit në të cilin ndodhej Laskaj, por fatmirësisht pa e lënduar.
Pasi policia ka marrë dijeni për ngjarjen është nisur drejt vendit ku ndodheshin tre personat, ndërsa ka vënë në pranga Edmond Shqepën. Por, në një kontroll të ushtruar në banesën e Laskajt, është gjetur një armë tip pushkë dhe nëntë fishekë, të cilën ai e mbante pa leje.
Si rrjedhojë, është arrestuar edhe Arjan Laskaj, i cili akuzohet për "armëmbajtje pa leje". Ndërkohë, për 33-vjeçarin Shqepa është ngritur akuza e "vrasjes së mbetur në tentativë", si dhe "armëmbajtje pa leje".