E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS këmbëngul: Pa hetim, nuk hyjmë në Kuvend



Partia Socialiste këmbëngul në qëndrimin e saj për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit si kushti kryesor për t’u rikthyer në Parlament. Deputeti socialist Taulant Balla, bëri dje të ditur në një konferencë për shtyp se PS do të jetë në Kuvend vetëm atëherë kur të garantohet hetimi i kutive të votimit. "Ne nuk mund të kthehemi në Kuvend, nëse nuk na respektohet e drejta jonë e shkruar në Kushtetutë dhe në ligj, për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ne nuk po bojkotojmë institucionet demokratike, por jemi në këtë marrëdhënie të kushtëzuar për të mbrojtur themelin e institucioneve demokratike, pra zgjedhjet dhe votën e lirë”, - tha Balla. Grupi parlamentar i PS-së, i përbërë nga 65 deputetë, nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë parlamentare që prej 7 shtatorit, kur dhe nisi punimet Kuvendi i ri. Ndërkohë, pesë deputetët e "Lëvizjes për mendimin ndryshe", Andis Harasani, Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello dhe Ben Blushi e shohin si të domosdoshme praninë e socialistëve në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›