E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një dorëheqje enigmatike dhe një mbretëreshë moderne

Autori i Lajmit: Enver Robelli
Arsyet e dorëheqjes së kryeministrit kroat, Ivo Sanader, ende janë enigmatike. Tërheqja e tij mund të jetë edhe pasojë e politikës pasive të BE-së, e cila pothuaj e ka bllokuar integrimin e Ballkanit. Drejtimin e qeverisë tani do ta marrë zëvendëskryeministrja Jadranka Kosor, e cila që në fëmijëri dëshironte të bëhej mbretëreshë
Në Kroaci një valë e kritikave të ashpra është duke u përplasur kundër ish-kryeministrit Ivo Sanader, i cili papritur dha dorëheqje këtë javë, duke e braktisur skenën politike në një moment delikat të krizës ekonomike.
Sanader herë etiketohet si frikacak, herë si mi që iku nga anija kroate pak para fundosjes. Shumica e kritikëve e quajnë dorëheqjen e Sanaderit një akt burracakërie dhe pandershmërie, sepse ai vitin e kaluar kishte fituar mandatin nga populli për të drejtuar vendin për katër vjet. Pas dorëheqjes vetëm gazeta “Jutarnji List” botoi hiç më pak se 22 faqe për këtë temë, ku përmes artikujve, grafikeve, tabelave dhe fotografive synohej të shpjegoheshin arsyet e largimit të Sanaderit. Edhe pas leximit të këtyre faqeve enigma mbetet e pazgjidhur. Vetë Sanader ka thënë se po tërhiqet nga jeta politike pas dy deceniesh, sepse, siç tha, i kishte arritur të gjitha synimet e tij. Kjo është pjesërisht e saktë. Ish-drejtori i teatrit të Splitit në vitet 90-të ka qenë zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe pas vdekjes së kryetarit Franjo Tugjman, erdhi në krye të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) – me gjithë kundërshtimet nga qarqet djathtiste dhe nacionaliste në këtë parti. Menjëherë pasi mori timonin e partisë në vitin 2000, Sanader filloi të ballafaqohet me përfaqësuesit e vijës së ashpër, duke arritur të denacionalizojë dhe të reformojë HDZ-në. Ky angazhim atij iu shpagua nga shumica e kroatëve, sepse HDZ pas vetëm katër vjetësh në opozitë (2000-2003) fitoi zgjedhjet dhe Sanader mori postin e kryeministrit. Ai ndikoi në hapjen e vendit dhe ushtroi presion të suksesshëm kundër forcave të sigurisë për arrestimin e gjeneralit Ante Gotovina, i cili i shmangej drejtësisë së Tribunalit të Hagës. Pas burgosjes dhe ekstradimit të Gotovinës rruga e Kroacisë drejt Bashkimit Evropian u hap shpejt. Vendi mori statusin e kandidatit dhe nisi bisedimet për anëtarësim. Nën drejtimin e Ivo Sanaderit në shumë pjesë të Kroacisë u ndërtua një rrjet modern i autostradave. Po ashtu vendi sivjet – bashkë me Shqipërinë – u anëtarësua në NATO. Sanader ishte kryeministri i parë i Kroacisë së pavarur, që kremtoi Krisht­lindjet ortodokse me komunitetin serb në Zagreb dhe kështu ndikoi dukshëm në normalizimin e marrëdhënieve me pakicën serbe në Kroaci, pjesa më e madhe e së cilës ishte dëbuar nga vendi gjatë aksioneve të ushtrisë kroate për rikthimin e kontrollit në territoret e sunduara nga kryengritësit serbë.
Nën qeverisjen e Ivo Sanaderit në Zagreb qëndroi për vizitë presidenti i SHBA-së George W. Bush, i cili në një fjalim para selisë së Qeverisë dhe Parlamentit në qytetin e vjetër të Zagrebit i garantoi Kroacisë siguri në rast të ndonjë sulmi armiqësor. Një politikan me një listë të tillë të respektueshme suksesesh sikur Ivo Sanaderi vështirë se largohet papritmas nga posti i tij. Sanader e bëri këtë. Janë disa arsye pse ai iku.

Borxhi i madh
E para: Anëtarësimi i Kroacisë në BE vitin e ardhshëm është rrezikuar seriozisht për shkak se Sllovenia ka bllokuar negociatat mes Brukselit dhe Zagrebit. Qeveria në Lubjanë është duke e keqpërdorur të drejtën e vetos në BE për të detyruar Kroacinë të pranojë zgjidhjen e konfliktit mbi demarkacionin e kufirit në Gjirin e Piranit në Adriatik dhe në vijën tokësore sipas diktatit slloven. Sipas të drejtës ndërkombëtare, Sllovenisë nuk i takojnë dy të tretat e Gjirit të Piranit, siç kërkojnë politikanët në Lubjanë. Në këtë konflikt, në dukje absurd mes dy ish-republikave jugosllave Bashkimi Evropian ka qëndruar pasiv. Pas dorëheqjes Sanader ka deklaruar se ishte lodhur nga politika e shantazhit që po përdoret nga Sllovenia, duke e akuzuar Brukselin se duke ndenjur duarkryq, në fakt e ka dëmtuar shumë kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Kroaci dhe në Ballkan.
Arsyeja e dytë e dorëheqjes së Ivo Sanaderit mund të jetë gjendja e vështirë ekonomike në Kroaci. Borxhi i jashtëm i këtij vendi arrin në 40 miliardë dollarë – një shumë gjigante, që shumë shpejt mund të prishë drejtpeshimin e anijes kroate. Një barrë tjetër e madhe për arkën shtetërore janë mbi një milion pensionistë(!) në një vend me 4,5 milionë banorë, prej të cilëve rreth 900 mijë janë të punësuar. Gjatë qeverisjes së tij Sanader, me gjithë sukseset e lartpërmendura, dështoi në shumë fusha. Reforma në sistemin e drejtësisë, sipas vlerësimeve të BE-së, është ende e pamjaftueshme. Lufta kundër korrupsionit është tepër pasive, për të mos thënë se nuk ekziston fare, me përjashtim të disa aksioneve spektakulare, të cilat kryesisht janë drejtuar prej zyrtarëve të policisë, që janë të afërt me presidentin Stjepan Mesiq. Dy mandatet e Ivo Sanaderit janë shoqëruar edhe me disa afera, për të cilat ai është akuzuar personalisht. Njëra ndër to është afera me orë: pas presionit të opinionit Sanader ishte detyruar të pranonte se vlera e koleksionit të orëve të tij është 150 mijë euro dhe këtë vlerë ai pastaj ishte i shtrënguar të deklarojë në kartën e pasurisë. Sanader po ashtu është akuzuar për favorizimin e firmave të caktuara ndërtimore për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, si dhe për lidhjen e një kontrate të dëmshme për ndërtimin e anijeve nga firma Brodosplit. Para disa javësh, në kulmin e krizës ekonomike, Ivo Sanader me para të partisë bleu për 580 mijë euro një veturë të markës BMW. Pas protestave të opinionit ai hoqi dorë nga ky automobil, duke ia dhënë në përdorim Ministrisë së Brendshme.
Përveç arsyeve të përmendura – bllokimi i integrimit në BE dhe gjendja e rëndë ekonomike – në Zagreb përmendet edhe një motiv tjetër për largimin e Ivo Sanaderit. Supozohet se ai e ka humbur betejën në parti me fraksionin e së djathtës nacionaliste, e cila, siç thuhet, kundërshton kandidimin e tij në zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm. (Kryetari aktual Stjepan Mesiq pas dy mandateve nuk ka drejtë të kandidojë sërish). Edhe pse Sanader e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për president të vendit, në mediat kroate spekulohet se ai mund të kthehet në skenën politike të vendit në vjeshtë ose gjatë dimrit si ”shpëtimtar i kombit“. Si asnjë politikan i rajonit, Sanader gëzon reputacion të madh në Evropë. Duke qenë njohës i gjuhës gjermane, angleze, franceze dhe italiane, ai gjatë gjithë këtyre viteve arriti të krijojë kontakte të ngushta me shumë politikanë vendimmarrës në Evropë.

Një feministe dhe poete
Derisa vazhdojnë spekulimet nëse Sanader do thyhet apo jo, timonin e drejtimit të Qeverisë së Kroacisë do ta marrë Jadranka Kosor. Të premten ajo edhe zyrtarisht është mandatuar nga presidenti Mesiq për të formuar qeverinë e re. Zëri i zonjës Kosor për shumë kroatë është i mirënjohur. Gjatë viteve 90 ajo kishte drejtuar në radion kroate (HRT) një emision të popullarizuar për viktimat e luftës. Duke qenë i vetëdijshëm për imazhin e mirë të gazetares Kosor në opinionin kroat, kryetari i atëhershëm Franjo Tugjman i ofroi asaj postin e zëvendëskryetares së partisë në pushtet HDZ.
Kosor përshkruhet si politikane luajale ndaj shefave të saj. Pas vdekjes së Tugjmanit ajo u pozicionua në krah të Ivo Sanaderit dhe në vitin 2003, pas fitores së zgjedhjeve parlamentare nga HDZ-ja, Kosor u emërua në postin e zëvendëskryeministres dhe ministres për çështje familjare, veteranë të luftës dhe solidaritet mes gjeneratave. Ajo po ashtu ka qenë kandidate e pasuksesshme e HDZ-së në garën për president të vendit në vitin 2005. Këtë garë atëbotë, për të dytën herë, e kishte fituar Stjepan Mesiq. Kosor është lindur në vitin 1953 në Pakrac, një qytezë në Sllavoninë perëndimore. Për shkak të prejardhjes së saj të përzier etnike (kroato-serbe) zonja Kosor shikohet me sy të dyshimtë nga qarqet nacionale kroate. Në po këto qarqe të HDZ-së, e cila i mban lart vlerat tradicionale familjare, zonja Kosor shihet me mosbesim, sepse ajo është dy herë e shkurorëzuar dhe shquhet për angazhimin e saj për të drejtat e femrave në Kroaci. Kosor ka studiuar drejtësi në Universitetin e Zagrebit dhe në vitet 70 ka punuar gazetare e ”Veçernji List”. Ajo është autore e katër librave, mes tyre edhe dy vëllime me poezi. Flet anglisht dhe gjermanisht. Kur para disa kohësh një gazetar kroat shkroi se Jadranka Kosor si fëmijë dëshironte të bëhej princeshë, nga zyra e saj menjëherë pasoi përgënjeshtrimi: “Zëvendës­kryeministrja dhe ministrja e Familjes, Mbrojtësve dhe Solidaritetit mes Gjeneratave, nuk ka pasur dëshirë të bëhej princeshë, por mbretëreshë“.
robelli@bluewin
Ky lajm është publikuar: 13/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›