Moisiu: Politikanët, të rrisin integritetin e tyre

Tiranë, 27 prill, NOA Niveli i integritetit të politikanëve në Shqipëri duhet të rritet, ashtu siç duhet të ndodhë kjo edhe me nivelin e inteligjencës dhe aftësive vepruese të popullatës.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije ish-presidenti Alfred Moisiu, gjatë fjalës që ka mbajtur në një konferencë të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, mbi integritetin e klasës intelektuale në tërësi.
Gjithçka në këtë vend do të varet nga puna që do të bëjnë inteligjenca dhe politika shqiptare, duke rritur nivelin e integritetit të politikanëve dhe inteligjencën e popullatës në tërësi, tha ai.
Duke iu referuar citatit të Karterit se Integriteti nënkupton bindjen e verbër ndaj diktatit të ndërgjegjies dhe një ndjenjë të lartë detyre, ish-kreu i shtetit shtoi se integriteti nuk duhet njehsuar me ndershmërinë.
Kjo pasi njeriu mund të jetë i ndershëm dhe pa qenë integral, pasi integriteti kërkon veprim, angazhim për të ushtruar presionin e duhur për të rregulluar atë që nuk shkon si duhet, sqaroi Moisiu.
Duke shtuar në fund, se integrimi kërkon edhe ndonjëherë shkeljen e rregullave, në të mirë të komunitetit.
n.e/NOA